Kënga e këngëve 1

Titulli

Kënga e këngëve, që është e Solomonit.

Ajo

Ah, sikur të më puthë ai!

Sikur të më puthë me gojën e vet!

Se dashuria jote është më e mirë se vera,

erëmirë është vaji yt i këndshëm,

e emri yt, si vaj i zbrazur,

prandaj edhe vashëzat të duan.

Rrëmbemë e le të rendim!

Të më shtjerë mbreti në kthinat e veta,

që të ngazëllejmë e të gëzojmë falë teje,

të kremtojmë me dashurinë tënde

më shumë se me verë.

Me të drejtë me ty dashurohen.

Poema e parë

Zeshkane jam, por e pëlqyeshme,

o bijat e Jerusalemit,

porsi tendat e Kedarit,

porsi pëlhurat e Solomonit.

Mos shihni se jam e zeshkët,

se dielli mua më zuri.

U zemëruan me mua bijtë e nënës sime

e rojtare vreshtash mua më bënë,

por vreshtin tim s’e ruajta.

Tregomë, o ti, që dua me gjithë shpirt,

nga e kullot ti grigjën tënde,

ku mrizon kur bie zhegu?

Pse të sillem si endacakea unë

pas tufave të shokëve të tu?

Miqtë

Nëse ti s’e di, o e bukura ndër gra,

ec gjurmëve të grigjës

e ndanë staneve të barinjve

edhat e tu kulloti.

Ai

Si pelë në koçinë e faraonit,

ashtu më ngjan ti, o mikja ime.

10 Joshëse mes vathësh janë faqet e tua

e gusha jote me rruaza mbështjellë.

11 Do të bëjmë për ty stoli prej ari

me rruzuj të argjendtë.

Ajo

12 Për sa kohë rri shtruar mbreti,

livanda ime amësim shpërndan.

13 Tufëz mirre i shtrenjti im për mua,

mes gjinjve të mi pushuar.

14 Me boçën e selvisë në vreshtat e En Gedit,

ngjan i shtrenjti im për mua.

Ai

15 Ah, sa e bukur je, ti mikja ime, sa e bukur je!

Si pëllumba janë sytë e tu.

Ajo

16 Ah, sa i bukur je, i shtrenjti im, sa i hijshëm je!

Lulet e harlisura janë shtrati ynë,

17 cedrat janë trarët e shtëpive tona

e qiparisat kemi për binarë.


 a1.7 të tjerë: e mbuluar me vel