Popujt përtej Jordanit
1 Kur dëgjuan mbarë mbretërit e amoritëve, që jetonin në bregun perëndimor të Jordanit, bashkë me mbarë mbretërit e kananitëve, që jetonin pranë detit, se Zoti i kishte tharë ujërat e Jordanit, derisa kishin kaluar izraelitët, i lëshoi zemra e mbetën pa frymë nga frika e izraelitëve.
2 Në atë kohë Zoti i tha Jozuehut: «Bëj thika prej gurit të strallit e fillo të rrethpresësh përsëri bijtë e Izraelit». 3 Jozuehu bëri thika prej gurit të strallit e i rrethpreu bijtë e Izraelit në kodrinën e Haralotit. 4 I rrethpreu, sepse të gjithë meshkujt e popullit që doli nga Egjipti, të gjithë luftëtarët, kishin vdekur gjatë udhëtimit nëpër shkretëtirë, pas daljes nga Egjipti. 5 Ata kishin qenë të gjithë të rrethprerë, ndërsa djemtë, që kishin lindur gjatë udhëtimit në shkretëtirë pas daljes nga Egjipti, nuk ishin rrethprerë. 6 Izraelitët kishin udhëtuar dyzet vjet nëpër shkretëtirë, derisa kishin vdekur të gjithë luftëtarët që kishin dalë nga Egjipti, për shkak se nuk i ishin bindur urdhrit të Zotit. Prandaj edhe Zoti u qe betuar se nuk kishin për ta parë tokën që u kishte premtuar etërve të tyre për ne, tokën ku rrjedh qumësht e mjaltë. 7 Në vendin e tyre ai vuri bijtë e tyre. Këta i rrethpreu Jozuehu, se ishin të parrethprerë, ngaqë nuk ishin rrethprerë gjatë udhës.
8 Pasi u rrethpre i gjithë populli, izraelitët qëndruan në fushim derisa u shëruan. 9 Atëherë Zoti i tha Jozuehut: «Sot jua hoqa çnderimin e Egjiptit». Ai vend quhet Gilgal deri në ditën e sotme.
Kremtimi i Pashkës
10 Izraelitët fushuan në Gilgal dhe atje, në fushat e Jerikosë, kremtuan Pashkën në ditën e katërmbëdhjetë të muajit, në mbrëmje. 11 Të nesërmen e Pashkës hëngrën nga prodhimet e vendit, bukë të ndorme e grurë të pjekur atë ditë. 12 Po atë ditë, pasi hëngrën nga prodhimet e vendit, pushoi së rëni edhe mana. Izraelitët nuk e përdorën më manën për ushqim. Atë vit hëngrën nga prodhimet e tokës së Kanaanit.
Prijësi i ushtrisë së Zotit
13 Një ditë, kur Jozuehu ndodhej pranë Jerikosë, ngriti sytë e pa para tij një njeri me shpatë në dorë. Jozuehu iu afrua dhe e pyeti: «Je me ne apo me armiqtë tanë?». 14 Ai iu përgjigj: «Jo, unë jam prijësi i ushtrisë së Zotit dhe sapo mbërrita». Jozuehu ra përmbys para tij me nderim e i tha: «Cili është urdhri i timzoti për shërbëtorin e tij?». 15 Prijësi i ushtrisë së Zotit i tha Jozuehut: «Zbathi sandalet, se vendi ku po qëndron është i shenjtë». Jozuehu bëri si i tha ai.