Fjalët e fundit të Jozuehut
1 Shumë kohë pasi Zoti i kishte dhënë Izraelit paqe nga të gjithë armiqtë që e rrethonin, Jozuehu, tashmë i plakur dhe i thyer në moshë, 2 mblodhi të gjithë izraelitët, pleqtë, prijësit, gjykatësit, krerët e u tha: «Tashmë unë jam plak dhe i thyer në moshë. 3 Ju keni parë me sytë tuaj gjithçka u bëri Zoti, Perëndia juaj, gjithë këtyre kombeve dhe si luftoi për ju. 4 Shihni si ua ndava me short fiseve tuaja tokat e këtyre kombeve që kanë mbetur, por edhe të të gjitha kombeve që shfarosa, nga Jordani e deri në detin e Madh në perëndim. 5 Zoti, Perëndia juaj, do t’i dëbojë para jush dhe do t’i shfarosë para syve tuaj, që ju ta zotëroni të gjithë vendin, siç ju ka thënë Zoti, Perëndia juaj. 6 Tregohuni të fortë dhe mbani e zbatoni gjithçka është shkruar në librin e ligjit të Moisiut dhe mos u shmangni as djathtas e as majtas. 7 Mos u përzieni me popujt që kanë mbetur ndër ju, mos i zini në gojë emrat e perëndive të tyre, mos u përbetoni në emër të tyre, mos u shërbeni e as mos u përkulni para tyre. 8 Do t’i qëndroni besnikë Zotit, Perëndisë tuaj, siç keni bërë deri më sot. 9 Zoti dëboi para syve tuaj kombe të mëdha e të fuqishme dhe askush nuk ka mundur t’ju bëjë dot ballë deri më sot. 10 Një i vetëm prej jush u jep arratinë mijëra vetëve, sepse për ju lufton Zoti, Perëndia juaj, siç ju ka thënë ai vetë. 11 Bëni, pra, shumë kujdes që ta doni Zotin, Perëndinë tuaj. 12 Por nëse largoheni prej tij dhe jepeni pas këtyre kombeve që kanë mbetur ende mes jush, nëse martoheni me bijat e tyre dhe nëse hyni e dilni me ta, 13 dijeni se Zoti, Perëndia juaj, nuk ka për t’i dëbuar këto kombe prej jush dhe ata kanë për t’u bërë lak e kurth për ju, fshikull për ijët tuaja dhe hala për sytë tuaj, derisa të zhdukeni nga kjo tokë e mrekullueshme, që ju dha Zoti, Perëndia juaj.
14 Ja, unë sot po shkoj, siç shkon çdo gjë mbi tokë. Pranojeni me gjithë zemër e me gjithë shpirt se asnjë nga premtimet e mira që ju bëri Zoti, Perëndia juaj, nuk mbeti pa u përmbushur. Të gjitha ju janë plotësuar dhe nuk ka mbetur asgjë pa u përmbushur. 15 Veçse, siç u përmbushën të gjitha premtimet e mira që ju bëri Zoti, Perëndia juaj, po ashtu Zoti mund të sjellë mbi ju çdo fatkeqësi, derisa t’ju shfarosë nga kjo tokë e mrekullueshme, që ju dha vetë Zoti, Perëndia juaj. 16 Nëse shkelni besëlidhjen që ju ka urdhëruar Zoti, Perëndia juaj, dhe shkoni e u shërbeni perëndive të tjerë, duke u përkulur para tyre, atëherë zemërimi i Zotit do të ndizet kundër jush dhe ju do të shfaroseni shpejt prej kësaj toke të mrekullueshme që ju dha ai».