Fiset në lindje të Jordanit
1 Atëherë Jozuehu thirri rubenitët, gaditët e gjysmën e fisit të Manaseut 2 e u tha: «Ju u jeni bindur të gjitha urdhrave të Moisiut, shërbëtorit të Zotit, e ma keni dëgjuar fjalën sa herë ju kam urdhëruar. 3 Gjatë gjithë kësaj kohe e deri më sot nuk i keni braktisur vëllezërit tuaj e keni zbatuar të gjitha urdhrat e Zotit, Perëndisë tuaj. 4 Tani që Zoti, Perëndia juaj, u ka dhënë paqe vëllezërve tuaj, ashtu siç u kishte premtuar, shkoni e kthehuni në tendat tuaja, në tokën që ju dha për pronë Moisiu, shërbëtori i Zotit, përtej Jordanit. 5 Veçse bëni shumë kujdes që të zbatoni urdhërimet dhe ligjin që ju dha Moisiu, shërbëtori i Zotit, që të doni Zotin, Perëndinë tuaj, të ecni nëpër të gjitha udhët e tij, të mbani urdhërimet e tij, t’i qëndroni besnikë dhe t’i shërbeni me gjithë zemër e me gjithë shpirt». 6 Pastaj Jozuehu i bekoi dhe i nisi të shkojnë në tendat e tyre.
7 Gjysmës së fisit të Manaseut Moisiu ua kishte dhënë pronën në Bashan, ndërsa gjysmës tjetër ia dha Jozuehu në bregun perëndimor të Jordanit. Jozuehu i nisi edhe ata në tendat e tyre, i bekoi 8 e u tha: «Kthehuni në tendat tuaja me gjithë pasuritë e mëdha, me bagëtitë e shumta, me argjendin, me arin, me bronzin, me hekurin dhe me veshjet e shumta, që keni fituar, dhe ndani me vëllezërit tuaj plaçkën, që u rrëmbyet armiqve». 9 Pasardhësit e Rubenit dhe të Gadit, si edhe gjysma e fisit të Manaseut, u kthyen në vendin e tyre. Izraelitët e tjerë i lanë në Shiloh, në vendin e Kanaanit, ndërsa vetë shkuan në vendin e Gileadit, në tokën që kishin marrë për pronë sipas urdhrit të Zotit përmes Moisiut.
Altari në breg të Jordanit
10 Pasardhësit e Rubenit e të Gadit, si dhe gjysma e fisit të Manaseut, mbërritën në Gelilot të Jordanit, në vendin e Kanaanit dhe ndërtuan një altar me pamje madhështore në brigjet e Jordanit. 11 Izraelitët dëgjuan se pasardhësit e Rubenit e të Gadit, si edhe gjysma e fisit të Manaseut, kishin ndërtuar një altar në kufijtë e vendit të Kanaanit, në Gelilot të Jordanit, në anën e izraelitëve. 12 Kur e dëgjuan këtë izraelitët, mbarë bashkësia e Izraelit u mblodh në Shiloh për të luftuar kundër tyre.
13 Izraelitët dërguan Finehasin, birin e priftit Eleazar, te pasardhësit e Rubenit, Gadit dhe gjysmës së fisit të Manaseut në vendin e Gileadit. 14 Bashkë me të dërguan edhe dhjetë prijës, nga një prijës për çdo fis të Izraelit. Secili prej tyre ishte kreu i njësive të ndara sipas familjeve të Izraelit. 15 Kur mbërritën te pasardhësit e Rubenit, Gadit dhe të gjysmës së fisit të Manaseut në vendin e Gileadit, ata u thanë: 16 «Ja ç’ju thotë tërë bashkësia e Zotit: “Ç’është kjo pabesi që keni bërë kundër Perëndisë së Izraelit? Përse e braktisët Zotin dhe ndërtuat një altar, duke ngritur krye kundër Zotit? 17 Nuk na mjafton paudhësia që bëmë në Peor? Edhe sot e kësaj dite nuk jemi liruar nga plaga që i ra bashkësisë së Zotit. 18 Sot ju jeni kthyer kundër Zotit. Nëse ngrini sot krye kundër Zotit, nesër zemërimi e tij do të bjerë mbi tërë Izraelin. 19 Nëse mendoni se toka që keni marrë për pronë është e papastër, atëherë kaloni në tokën që është pronë e Zotit, atje ku është tenda e Zotit, dhe merrni tokë mes tokave tona. Por mos ngrini krye kundër Zotit, duke ndërtuar një altar tjetër, veç altarit të Zotit, Perëndisë tonë. 20 A nuk veproi me pabesi Akani, biri i Zerahut, kur mori sendet e mallkuara dhe pastaj zemërimi i Zotit ra mbi tërë Izraelin? Akani nuk ishte i vetmi që vdiq për shkak të paudhësisë së tij”».
21 Pasardhësit e Rubenit, Gadit dhe të gjysmës së fisit të Manaseut u thanë prijësve të familjeve të Izraelit: 22 «Zoti, Perëndia i perëndive, vetë Zoti, Perëndia i perëndive, e di mirë, por le ta marrë vesh edhe Izraeli se, nëse ne vepruam kështu për të ngritur krye apo për të mos i qëndruar besnik Zotit, ai le të na ndëshkojë që tani. 23 Nëse e ndërtuam altarin për t’u larguar nga Zoti apo për të kushtuar mbi të fli shkrumbimi, drithi apo paqtimi, të na gjykojë vetë Zoti. 24 Ne e ndërtuam nga frika se mos nesër pasardhësit tuaj u thonë pasardhësve tanë: “Çfarë lidhje keni ju me Zotin, Perëndinë e Izraelit? 25 Vetë Zoti e ka vënë Jordanin si kufi mes nesh e jush, o pasardhës të Rubenit e të Gadit. Ju s’keni pjesë me Zotin”. Kështu, pasardhësit tuaj mund t’i bëjnë pasardhësit tanë të mos e druajnë më Zotin. 26 Prandaj edhe thamë të ndërtojmë një altar për veten tonë, jo për të kushtuar fli apo fli shkrumbimi, 27 por që të jetë dëshmi për ne, për ju dhe për breznitë që do të vijnë pas nesh, se do t’i shërbejmë Zotit dhe se para tij do t’i kushtojmë flitë tona, flitë e shkrumbimit e të paqtimit. Kështu, pasardhësit tuaj nuk do t’u thonë nesër pasardhësve tanë se nuk kanë pjesë me Zotin. 28 Nëse do të na thonë gjë neve apo breznive pas nesh, ne do të përgjigjemi: “Shihni trajtën e altarit të Zotit. Paraardhësit tanë nuk e ndërtuan për të kushtuar fli apo fli shkrumbimi, por që të jetë dëshmi për ne e për ju”. 29 Larg qoftë të ngremë krye kundër Zotit e të largohemi prej tij duke ndërtuar një altar për të kushtuar fli shkrumbimi, drithi, apo ndonjë fli tjetër, përveçse në altarin e Zotit, Perëndisë tonë, që ndodhet përpara tendës së tij».
30 Prifti Finehas, prijësit e bashkësisë dhe krerët e familjeve të Izraelit, që ishin me të, dëgjuan çfarë u thanë pasardhësit e Rubenit, Gadit e të gjysmës së fisit të Manaseut dhe mbetën të kënaqur. 31 Atëherë prifti Finehas, biri i Eleazarit, u tha pasardhësve të Rubenit, të Gadit e të gjysmës së fisit të Manaseut: «Tani e dimë mirë se Zoti është mes nesh, sepse nuk keni vepruar me pabesi kundër Zotit dhe i shpëtuat bijtë e Izraelit nga dora e Zotit».
32 Prifti Finehas, biri i Eleazarit, bashkë me prijësit, u larguan nga pasardhësit e Rubenit e të Gadit në tokën e Gileadit, u kthyen tek izraelitët në tokën e Kanaanit dhe u treguan gjithçka. 33 Përgjigja u pëlqeu izraelitëve. Ata bekuan Perëndinë e bijve të Izraelit dhe nuk folën më për luftë kundër pasardhësve të Rubenit e të Gadit dhe për ta shkatërruar vendin ku jetonin. 34 Pasardhësit e Rubenit e të Gadit e quajtën altarin «Dëshmitar», sepse ai altar ishte dëshmi për ta që Zoti ishte Perëndia i tyre.