Qytetet e strehimit
1 Pastaj Zoti i tha Jozuehut: 2 «Fol me izraelitët e thuaju të caktojnë qytetet e strehimit, sipas urdhrit që ju dhashë përmes Moisiut. 3 Në to do të gjejë strehë kushdo që vret dikë pa dashje e pa paramendim, për t’i shpëtuar gjakmarrësit. 4 Kur të mbërrijë te qyteti i strehimit, vrasësi të qëndrojë te porta e qytetit e t’u shpjegojë pleqve të qytetit çfarë ka ndodhur. Atëherë ata do ta pranojnë në qytet e do t’i japin një vend për të banuar. 5 Nëse gjakmarrësi shkon dhe e kërkon, nuk do t’ia dorëzojnë, sepse e ka vrarë të afërtin pa dashje e nuk ka pasur urrejtje për të më parë. 6 Do të qëndrojë në atë qytet derisa të gjykohet para bashkësisë e derisa të vdesë kryeprifti që është në shërbim në atë kohë. Vetëm atëherë vrasësi mund të kthehet në shtëpinë e tij dhe në qytetin nga u arratis».
7 Izraelitët caktuan Kedeshin në Galile, në krahinën malore të Neftaliut, Shekemin, në krahinën malore të Efraimit dhe Kirjat Arbanë, që është Hebroni, në krahinën malore të Judës. 8 Në bregun lindor të Jordanit caktuan Becerin në shkretëtirën e rrafshnaltës së Rubenit, Ramotin në Gilead të fisit të Gadit dhe Galonin në Bashan të fisit të Manaseut. 9 Këto ishin qytetet që u caktuan për izraelitët dhe për të huajt që banonin me ta. Në to do të gjente strehë kushdo që kishte vrarë pa dashje, që të mos vritej nga gjakmarrësi, derisa të dilte para gjyqit të bashkësisë.