Toka të papushtuara
1 Jozuehu ishte plak e i thyer në moshë tashmë. Atëherë Zoti i tha: «Ti je plakur e je në moshë të thyer, por mbetet ende një pjesë e madhe e vendit për t’u pushtuar. 2 Toka që mbetet për t’u pushtuar përfshin krahinat e filistinëve e të geshuritëve, 3 nga Shihori, përballë Egjiptit, e deri në kufijtë e Ekronit në veri. Kjo është tokë kananite e ndahet në pesë principata filistinësh, principata e Gazës, e Ashdodit, e Ashkelonit, e Gatit dhe e Ekronit, si dhe trojet e avitëve 4 në jug. Mbetet tërë toka e kananitëve, nga Arahu, që i përket sidonasve, deri në Afek e deri në kufijtë e amoritëve. 5 Mbetet edhe toka e gibelitëve dhe tërë krahina e Libanit lindor, nga Gad Baali, në rrëzë të malit Hermon, deri në Lebo Hamat, 6 tërë banorët e malësisë, nga Libani e deri tek ujërat e Misrepotit, ku banojnë sidonasit. Do të jem unë ai që do t’i dëboj para syve të izraelitëve. Ti do t’ua japësh tokën për pronë izraelitëve, siç të kam urdhëruar. 7 Ndajua, pra, këtë vend me short nëntë fiseve të mbetura e gjysmës së fisit të Manaseut».
Ndarja e tokës në Bregun Lindor
8 Moisiu i dha për pronë fisit të Rubenit e të Gadit, si dhe gjysmës së fisit të Manaseut, tokën përtej Jordanit, në bregun lindor të tij, 9 nga Aroeri, në breg të përroit të Arnonit, dhe nga qyteti në mes të luginës, mbarë rrafshnaltën e Medebës, deri në Dibon. 10 U dha edhe të gjitha qytetet e Sihonit, mbretit të amoritëve, që sundonte në Heshbon, në kufi me amonitët, 11 Gileadin, trojet e geshuritëve dhe të makatitëve, tërë malin e Hermonit e gjithë Bashanin, deri në Salkah. 12 Edhe tërë mbretërinë e Ogut të Bashanit, që sundonte në Ashtarot e në Edrej. Ogu ishte njëri prej refaitëve të fundit. Ata i kishte mposhtur Moisiu e i kishte dëbuar nga tokat e tyre. 13 Por izraelitët nuk i dëbuan geshuritët e makatitët, që banojnë edhe sot e kësaj dite në Geshur e në Makat.
14 Vetëm fisit të Levit nuk i kishte dhënë trashëgimi, sepse trashëgimia e tyre janë flijimet për Zotin, Perëndinë e Izraelit, siç i kishte thënë Zoti.
15 Toka që Moisiu i dha fisit të Rubenit e pasardhësve të tij, sipas klaneve 16 fillonte në Aroer, në bregun e përroit të Arnonit, përfshinte qytetin që ndodhet në mes të luginës, mbarë rrafshnaltën e Medebës, 17 Heshbonin e të gjitha qytetet që ndodheshin në rrafshnaltë, Dibonin, Bamot Baalin, Bet Baal Meonin, 18 Jahacin, Kedmotin, Mefatin, 19 Kirjataimin, Sibmahun, Ceret Shaharin, që ndodhet në kodrat përmbi luginë, 20 Betpeorin, shpatet e Pisgahut, Bet Jeshimotin 21 e të gjitha qytetet e mbretërisë së Sihonit, mbretit të amoritëve, që kishte mbretëruar në Heshbon, e që Moisiu e kishte mposhtur, bashkë me princat e Midianit, Eviut, Rekemit, Curit, Hurit e Rebës, princa vasalë të Sihonit, që banonin në atë tokë. 22 Izraelitët kishin vrarë me shpatë edhe Balaamin, birin e Beorit, shortarin. 23 Kufiri i pasardhësve të Rubenit ishte lumi i Jordanit. Kjo është prona që morën si trashëgimi pasardhësit e Rubenit, sipas klaneve. Këto janë qytetet e fshatrat e tyre.
24 Toka që Moisiu i dha fisit të Gadit e pasardhësve të tij, sipas klaneve, 25 fillonte në Jazer, përfshinte të gjitha qytetet e Gileadit, gjysmën e tokës së amonitëve deri në Aroer, përballë Rabahut, 26 shtrihej nga Heshboni në Ramah Micpah, në Betonim e nga Mahanaimi deri në kufijtë e Lo Debarit. 27 Përfshinte edhe luginën ku gjenden Bet Harami, Bet Nimrahu, Sukoti, Cafoni dhe pjesa e mbetur të mbretërisë së Sihonit, mbretit të Heshbonit. Toka e tyre ka për kufi Jordanin e shkon deri në bregun e detit të Kineretit, përtej Jordanit, në bregun lindor. 28 Kjo është trashëgimia e pasardhësve të Gadit, sipas klaneve. Këto janë qytetet e fshatrat e tyre.
29 Toka që Moisiu i dha gjysmës së fisit të Manaseut, pra, gjysmës së pasardhësve të Manaseut, sipas klaneve 30 përfshinte Mahanaimin, tërë Bashanin, tërë mbretërinë e Ogut, mbretit të Bashanit dhe të gjitha fshatrat e Jairit. Gjithsej gjashtëdhjetë qytete të Bashanit. 31 Trojet përfshinin edhe gjysmën e Gileadit, Ashtarotin, Edrejin, qytetet e mbretërisë së Ogut në Bashan, që iu dhanë njërës pjesë të pasardhësve të Makirit, birit të Manaseut, sipas klaneve.
32 Këto janë pronat që ndau Moisiu në stepat e Moabit, në bregun lindor të Jordanit, kundruall Jerikosë. 33 Moisiu nuk i dha trashëgimi fisit të Levit, sepse trashëgimia e tyre është Zoti, Perëndia i Izraelit, siç u kishte thënë vetë Zoti.