Fitorja me mbretërit e amoritëve
1 Adonicedeku, mbreti i Jerusalemit, mori vesh se Jozuehu kishte pushtuar e shkatërruar Ajin dhe se me qytetin e me mbretin e tij kishte vepruar si me Jerikonë e me mbretin e saj. Dëgjoi edhe se banorët e Gibeonit kishin bërë paqe me Izraelin dhe se banonin mes tyre, 2 prandaj e zuri frika, sepse Gibeoni ishte qytet i madh, qytet mbretëror, më i madh se Aji, dhe burrat e tij ishin të fuqishëm. 3 Atëherë Adonicedeku, mbreti i Jerusalemit, i dërgoi lajmëtarë Hohamit, mbretit të Hebronit, Piramit, mbretit të Jarmuthit, Jafiait, mbretit të Lakishit, e Debirit, mbretit të Eglonit, e u tha: 4 «Ejani e më ndihmoni ta shpartallojmë Gibeonin, se ka bërë paqe me Jozuehun e me izraelitët». 5 Pesë mbretërit e amoritëve, mbreti i Jerusalemit, mbreti i Hebronit, mbreti i Jarmuthit, mbreti i Lakishit e mbreti i Eglonit, u mblodhën e shkuan për luftë me gjithë ushtritë e tyre. Fushuan përballë Gibeonit dhe e sulmuan.
6 Burrat e Gibeonit i dërguan fjalë Jozuehut në fushimin e Gilgalit e i thanë: «Mos hiq dorë nga shërbëtorët e tu. Eja shpejt të na shpëtosh e të na ndihmosh, se kundër nesh janë bashkuar të gjithë mbretërit e amoritëve që banojnë në malësi». 7 Atëherë Jozuehu u nis menjëherë nga Gilgali bashkë me gjithë luftëtarët e burrat e fuqishëm. 8 Zoti i tha Jozuehut: «Mos ki frikë prej tyre, se t’i kam dorëzuar ty. Asnjë prej tyre nuk të bën dot ballë». 9 Jozuehu marshoi tërë natën nga Gilgali e i sulmoi në befasi. 10 Zoti i hutoi amoritët para Izraelit e bëri kërdi të madhe në Gibeon. Izraelitët i ndoqën rrugës që ngjitet në Bet Horon dhe i sulmuan deri në Azekah e Makeda. 11 Teksa amoritët kishin marrë arratinë para Izraelit e po zbrisnin tatëpjetë për në Bet Horon, Zoti lëshoi mbi ta gurë të mëdhenj nga qielli, deri në Azekah. U vranë më shumë nga breshri i gurëve sesa nga shpata e izraelitëve.
12 Ditën që Zoti i dorëzoi amoritët në duart e izraelitëve, Jozuehu iu drejtua Zotit në prani të gjithë izraelitëve:
«Ndalu, o diell, mbi Gibeonin!
Qëndro, o hënë, mbi luginën e Ajalonit!
13 U ndal dielli, qëndroi hëna,
derisa populli ndaj armiqve u hakmor».
A nuk shkruhet në librin e të Drejtit: dielli u ndal në mes të qiellit e nuk u ngut të perëndonte pothuajse për tërë ditën? 14 Kurrë nuk kishte pasur një ditë si ajo më parë e as nuk pati më. Zoti dëgjoi zërin e një njeriu, vetë Zoti luftoi për Izraelin.
15 Pastaj Jozuehu u kthye në fushimin e Gilgalit bashkë me të gjithë izraelitët që ishin me të.
Vrasja e pesë mbretërve
16 Pesë mbretërit morën arratinë e u fshehën në një shpellë në Makeda. 17 Jozuehut i thanë: «Pesë mbretërit janë fshehur në një shpellë në Makeda». 18 Atëherë Jozuehu dha këtë urdhër: «Rrokullisni gurë të mëdhenj te gryka e shpellës e vini disa burra që t’i ruajnë. 19 Ju mos u ndalni, por vazhdoni të ndiqni armiqtë. Sulmoni prapavijën e tyre e mos i lini të hyjnë nëpër qytetet e veta, sepse Zoti, Perëndia juaj, jua ka dorëzuar juve». 20 Jozuehu e izraelitët i shfarosën krejt, derisa u shkatërruan, por disa shpëtuan e hynë në qytetet e strehimit. 21 Pastaj gjithë populli u kthye shëndoshë e mirë te Jozuehu në fushimin e Makedasë. Askush nuk guxoi më as të belbëzonte kundër izraelitëve.
22 Atëherë Jozuehu dha këtë urdhër: «Hapni grykën e shpellës, nxirrini prej saj të pesë mbretërit e sillini tek unë». 23 Ashtu vepruan. I nxorën të pesë mbretërit nga shpella, mbretin e Jerusalemit, mbretin e Hebronit, mbretin e Jarmuthit, mbretin e Lakishit, mbretin e Eglonit, e i sollën tek ai. 24 Si i nxorën jashtë mbretërit e i çuan te Jozuehu, ai thirri të gjithë izraelitët. Pastaj u tha prijësve ushtarakë, që kishin qenë me të në luftë: «Afrohuni e vini këmbën në qafën e këtyre mbretërve!». Ata u afruan e i vunë këmbët mbi qafat e mbretërve. 25 Pastaj u tha: «Mos kini frikë e mos u tmerroni! Jini të fortë e kini guxim, se kështu ka për t’ua bërë Zoti të gjithë armiqve, me të cilët po luftoni». 26 Jozuehu i goditi për vdekje e i vari në pesë pemë. I lanë të varur nëpër pemë deri në mbrëmje. 27 Në perëndim të diellit Jozuehu dha urdhër t’i zbrisnin kufomat nga pemët e t’i hidhnin në shpellën ku ishin fshehur. Te gryka e shpellës vunë gurë të mëdhenj, që janë aty edhe sot e kësaj dite.
28 Po atë ditë, Jozuehu pushtoi edhe Makedanë dhe i kaloi në teh të shpatës të gjithë banorët e mbretin e saj. Nuk la asnjë njeri gjallë e veproi me mbretin e Makedasë siç kishte vepruar edhe me mbretin e Jerikosë.
29 Nga Makedaja Jozuehu e gjithë izraelitët që ishin me të u nisën për të sulmuar Libnahun. 30 Zoti u dorëzoi izraelitëve edhe Libnahun e mbretin e tij. Jozuehu i kaloi në teh të shpatës të gjithë banorët e tij e nuk la gjallë asnjë njeri. Me mbretin e Libnahut Jozuehu veproi siç kishte vepruar edhe me mbretin e Jerikosë.
31 Pastaj Jozuehu e gjithë izraelitët që ishin me të u nisën nga Libnahu për në Lakish. Fushuan afër qytetit dhe e sulmuan. 32 Zoti ia dorëzoi Lakishin Izraelit. Lakishi u pushtua ditën e dytë të betejës dhe izraelitët kaluan në teh të shpatës të gjithë banorët e tij, siç kishin bërë edhe në Libnah.
33 Horami, mbreti i Gezerit, shkoi për të ndihmuar Lakishin. Jozuehu e njerëzit e tij e sulmuan derisa nuk mbeti njeri gjallë.
34 Pastaj Jozuehu e të gjithë izraelitët që ishin me të u nisën nga Lakishi për në Eglon. Fushuan afër qytetit dhe e sulmuan. 35 E pushtuan që atë ditë dhe kaluan në teh të shpatës të gjithë banorët e tij, siç kishin bërë edhe në Lakish.
36 Jozuehu e të gjithë izraelitët që ishin me të shkuan nga Egloni në Hebron dhe e sulmuan. 37 E pushtuan dhe kaluan në teh të shpatës të gjithë banorët e qytetit, mbretin e qytetet e tjera që i përkisnin atij. Nuk mbeti gjallë asnjë njeri. E shkatërruan qytetin me gjithë banorët e tij, siç kishin bërë edhe me Eglonin.
38 Pastaj Jozuehu e të gjithë izraelitët që ishin me të u kthyen drejt Debirit dhe e sulmuan. 39 E pushtuan qytetin e mbretin e zunë rob. Pushtuan edhe të gjitha qytetet e tjera që i përkisnin atij. I goditën me shpata dhe i shfarosën të gjithë banorët. Nuk shpëtoi askush. Me Debirin e me mbretin e tij vepruan si me Hebronin, ashtu siç kishin vepruar edhe me Libnahun e mbretin e tij.
40 Jozuehu pushtoi mbarë tokën, krahinën malore, Negevin, ultësirën fushore e shpatet e maleve. Vrau edhe të gjithë mbretërit e tyre e nuk la gjallë asnjë njeri. Jozuehu shfarosi çdo gjë të gjallë, siç i kishte urdhëruar Zoti, Perëndia i Izraelit. 41 Jozuehu pushtoi gjithë vendin nga Kadesh Barnea në Gazë dhe të gjithë krahinën e Goshenit deri në Gibeon. 42 Jozuehu i pushtoi tërë këto toka dhe i kapi robër të gjithë mbretërit e tyre me një sulm të vetëm, se përkrah izraelitëve luftonte vetë Zoti, Perëndia i Izraelit. 43 Pastaj Jozuehu e të gjithë izraelitët, që ishin me të, u kthyen në fushimin e Gilgalit.