Joeli 2

Dita e Zotit

«Bjerini trumbetës në Sion,

lëshoni kushtrim në malin tim të shenjtë.

Të dridhen mbarë banorët e vendit,

se erdhi dita e Zotit,

afër është ajo.

Ditë e errët dhe e zezë,

ditë e vrenjtur e plot terr,

përmbi male seç sterrona.

Ja, një popull i shumtë e i fortë

që kurrë s’është parë në kohët e lashta

e as do të shihet brez pas brezi.

Zjarr përpirës i paraprin,

flakë shkrumbuese i shkon pas,

si kopshti i Edenit toka para tij,

por humbëtirë të shkretë lë pas.

Askush nuk i shpëton dot.

Duken si kuaj,

vërsulen si kalorës.

Kapërcejnë kreshta malesh

me ushtimë karrocash ushtrie,

me kërcitje flakësh zjarri

kur përpin kashtën e thatë,

si një popull i fuqishëm

që në luftë rreshtohet rresht.

Para tij popujt dridhen,

gjithë fytyrat zverdhen krejt.

Porsi trima ata sulen,

si luftëtarë hidhen mbi mure.

Secili mban rreshtin e vet

e nuk ngatërron rrugë.

Njëri-tjetrin nuk e shtyjnë,

çdo burrë merr shtegun e vet

e s’ka armë që i zmbraps.

Vërshojnë qytetit,

turren mureve,

shtëpitë zaptojnë,

si kusarë nga dritaret hyjnë.

10 Para tij trandet toka,

qiejt luajnë vendit.

Dielli e hëna nxihen krejt,

yjet humbasin shkëlqimin e tyre.

11 Zoti e lëshoi kushtrimin

në krye të ushtrisë së tij.

Gjerë e gjatë shtrihet fushimi,

sa i fuqishëm ai që zbaton fjalën e tij.

E madhërishme dita e Zotit,

e tmerrshme shumë është ajo.

Ballë kush mund t’i bëjë?

12 Ndaj, tani, kumton Zoti:

kthehuni tek unë me gjithë zemër,

me agjërime, vaj e zi.

13 Shqyeni zemrat e jo rrobat,

kthehuni te Zoti, Perëndia juaj.

I mëshirshëm e i dhembshur është ai,

i ngadaltë në zemërim e plot mirësi,

i vjen keq për fatkeqësitë.

14 Kush e di? Ndoshta ndërron mendje,

i vjen keq e lë pas ndonjë bekim,

fli drithi e stërpikjeje,

për Zotin, Perëndinë tuaj.

15 Bjerini trumbetës në Sion,

shpallni agjërim,

thërrisni kuvend,

16 mblidhni popullin,

shenjtëroni bashkësinë,

mblidhni pleq e fëmijë,

foshnjat që thithin gji.

Daltë dhëndri prej dhomës,

edhe nusja prej odës së nusërisë.

17 Mes portikut dhe altarit,

të vajtojnë priftërinjtë, shërbëtorët e Zotit:

“Ki mëshirë, o Zot, për popullin tënd!

Pronën tënde mos e lër të turpërohet,

që kombet mos të tallen me të.

Pse mes tyre të thuhet:

ku është Perëndia i tyre?”.

18 Xheloz u bë Zoti për tokën e vet,

iu dhimbs populli i vet,

19 ndaj iu përgjigj e i tha:

“Ja, po ju çoj drithë, verë e vaj,

që të hani e të ngiheni.

Mes kombeve s’do t’ju lë të turpëroheni”.

20 Do ta heq prej jush veriorin,

do ta zboj në djerrinë të shkretë.

Pararojën do t’ia hedh në detin e lindjes,

praparojën në detin e perëndimit.

Do të qelbet e do të kutërbojë.

Vepra të madhërishme ai bëri.

21 Mos ki frikë, o tokë,

gëzohu e festo,

se Zoti vepra të madhërishme bëri.

22 Mos kini frikë, o kafshët e fushës,

se kullotat bleruan,

pemët dhanë frut,

fiku dhe hardhia begatuan.

23 Gëzohuni e festoni në Zotin, Perëndinë tuaj,

o bijtë e Sionit.

Ai ju shpërbleu me shirat e hershëm,

ju dërgoi shiun e vjeshtës dhe të pranverës, si dikur.

24 Lëmenjtë do të jenë plot me grurë,

lugjet do të gufojnë me verë e vaj.

25 Do t’ju shpaguaj vitet që përlau karkaleci,

krimbi, bulkthi dhe vemja,

ushtria ime e madhe,

që çova kundër jush.

26 Do të hani e do të ngopeni,

emrin e Zotit, Perëndisë tuaj, do të lavdëroni,

se mrekulli bëri ai për ju.

Populli im s’do të turpërohet më kurrë.

27 Do ta dini se unë jam mes Izraelit,

unë, Zoti, Perëndia juaj, askush tjetër.

Populli im s’do të turpërohet më kurrë».


 a2.2 ose: si agimi shtrihet