Fjalimi i Bildadit
1 Atëherë Bildad Shuhiti u përgjigj e tha:
2 «Deri kur do të flasësh kështu
e do të fryjnë furishëm fjalët e gojës sate?
3 A e shtrembëron Perëndia të drejtën?
A e shtrembëron i gjithëpushtetshmi drejtësinë?
4 Nëse bijtë e tu mëkatuan kundër tij,
ai i la në dorë të paudhësisë së tyre.
5 Nëse ti e kërkon Perëndinë
e i përgjërohesh të gjithëpushtetshmit,
6 po të jesh i pastër e i drejtë,
ai menjëherë do të kujdeset për ty
e do ta paqëtojë banesën tënde të drejtë.
7 Çfarë pate në fillim ishte pak,
në fund do të kesh më shumë.
8 Shqyrto breznitë e dikurshme
e mendo arritjet e të parëve të tyre.
9 Sa për ne, ne i përkasim së djeshmes e nuk dimë gjë,
se ditët tona hije janë mbi dhe.
10 A nuk do të të mësojnë ata ty?
Për ty prej zemrës do të nxjerrin kumte.
11 A nuk rritet kallami në moçal?
A zgjatet kallami pa ujë?
12 Ende i gjelbër e pa u prerë
vyshket para çdo bime tjetër.
13 Kësisoj janë shtigjet e atij që harron Perëndinë
e shpresa e të pafeut do të shuhet.
14 Besimi i tij pe i hollë,
rrjetë merimange mbështetja e tij.
15 Nëse mbështetet në shtëpinë e vet, ajo s’do të mbajë,
nëse kapet pas saj, ajo shembet.
16 Ai është bimë e harlisur në diell
që i shtrin filizat në kopsht.
17 Në zall i enden rrënjët,
nëpër gurë depërton.
18 Nëse shkulet nga vendi i vet,
vendi do ta mohojë:
“Kurrë nuk të kam parë!”.
19 Ja, kaq zgjat gëzimi i tij
e prej pluhurit të tjerë do të mbijnë.
20 Shiko! Perëndia nuk e përbuz njeriun e përkryer,
as të mbrapshtëve dorën nuk ua shtrin.
21 Ai do të ta kthejë buzagazin e plotë
e do të ta mbushë gojën me britma hareje.
22 Atë që të urren do ta mbulojë turpi
e banesa e të mbrapshtëve nuk do të qëndrojë».