1 Atëherë Jobi u përgjigj e tha:
2 «Po të peshohet krusma ime
e të matet mjerimi im,
3 rëndojnë më shumë se rëra e detit,
prandaj po ngutem e po flas.
4 I gjithëpushtetshmi m’i ka ngulur shigjetat,
helmin ua thëthin shpirti im
e tmerret e Perëndisë më janë kundërvënë.
5 A pall gomari kur ka bar?
A pëllet lopa kur ka tagji?
6 A hahet gjella pa kripë e pa shije?
A ka shije lëngu i bordullakut?
7 Gjërat që nuk i prekja dot
janë bërë gjella ime e neveritshme.
8 U pranoftë kërkesa ime
e Perëndia më dhëntë çfarë shpresoj!
9 Dashtë Perëndia e më shtyptë,
zgjattë dorën e më zhbiftë!
10 Le të jetë ky ngushëllimi im
dhe do të galdoj në dhimbjen time,
se nuk i mohova fjalët e të Shenjtit.
11 Me çfarë force do të pres
dhe pse duhet të duroj?
12 Vallë, si guri jam i fortë?
Prej bronzi është mishi im?
13 As veten s’e ndihmoj dot
dhe prej meje ka ikur e mbara.
14 Mikut nuk i mohohet besnikëria,
edhe kur s’e ka më drojën e të gjithëpushtetshmita.
15 Shokët janë të pabesë si vau,
si përrenjtë që vërshojnë në zall.
16 Shkrihen akujt e turbullohen,
fryhen, kur shkrihet bora.
17 Kur është nxehtë, avullojnë,
kur vjen vapa, thahet zalli.
18 Varganet ngatërrojnë udhën,
marrin shkretëtirën e birren.
19 Varganet e Temait i kërkojnë,
udhëtarët e Shebës shpresojnë t’i gjejnë.
20 Zhgënjehen, sepse shpresonin,
mbërrijnë aty e pështjellohen.
21 Kështu jeni edhe ju për mua,
e patë zezonën dhe u tmerruat.
22 A mos ju thashë të më jepnit gjë,
të më shpërblenit me pasurinë tuaj?
23 Apo të më lironit nga dora e armikut,
të më shpaguanit nga dora e të pashpirtit?
24 Mësomëni e do të hesht,
tregomëni ku kam gabuar.
25 Sa të rënda janë fjalët e drejta!
Por, qortimet tuaja, çfarë qortojnë?
26 A synoni t’i qortoni fjalët e mia?
A i merr era fjalët e të pashpresit?
27 Edhe mbi jetimin do të hidhnit short
e mikun do ta shisnit.
28 Prandaj, kthehuni kah unë, ju lutem,
se nuk do t’ju gënjej sy më sy.
29 Pendohuni, që të mos bëhet padrejtësi!
Pendohuni, se unë kam të drejtë.
30 A paska padrejtësi në gjuhën time?
A s’e dalluaka ligësinë qiellza ime?».
a6.14 ose: Kush nuk i rri besnik mikut, braktis edhe drojën e të gjithëpushtetshmit