Jobi 40

Përgjigjja e Jobit

Zoti i foli sërish Jobit e tha:

«A ka qortues që ndeshet me të gjithëpushtetshmin?

Le të përgjigjet ai që do të ndreqë Perëndinë!».

Jobi iu përgjigj Zotit e tha:

«Ja, kurrgjë s’jam! Si të të përgjigjem?

Gojën me dorë do ta mbyll.

Një herë fola e më nuk përgjigjem.

Madje dy herë, por nuk do të vijoj».

Përgjigjja e Zotit

Atëherë Zoti iu përgjigj Jobit nga stuhia e i tha:

«Ngjishi ijët si burrë,

se unë do të të pyes e ti do të më përgjigjesh.

A do ta mohosh edhe drejtësinë time?

A do të më fajësosh mua për të shfajësuar veten?

Mos e ke krahun si Perëndia?

A është si zëri i tij gjëmimi yt?

10 Mbështillu, pra, me madhështi e krenari,

me lavdi e nder vishu!

11 Zbraze gufimin e zemërimit tënd,

shikoji krenarët e poshtëroi,

12 shikoji krenarët e përuli,

shkeli të paudhët kudo të gjenden.

13 Fshihi njëherësh në pluhur

e në fshehtësi mbyllua fytyrën.

14 Atëherë edhe unë do të dëshmoj

se e djathta jote të shpëton.

15 Shiko Behemotin, që e bëra si ti,

ai ha bar si kau.

16 Shiko sa të fuqishme i ka ijët

e sa të forta muskujt e barkut.

17 E ngre bishtin si cedër

e kofshët i ka të endura me deje.

18 Eshtrat e tij si gypa bronzi,

brinjët e tij si shufra hekuri.

19 Ai është vepra e parë e Perëndisë

e vetëm krijuesi i tij mund t’i qaset me shpatë.

20 Malet ia japin ushqimin

e tërë egërsirat që në to lodrojnë.

21 Nën lotus shtrihet

në kallamishten e dendur e në moçal.

22 Lotuset me hije e mbulojnë

e shelgjet bri vaut e rrethojnë.

23 Nuk trembet as kur lumi fryhet,

është i sigurt edhe po t’i mbërrijë Jordani gjer në gojë.

24 A e verbon dhe e kap dot?

A ia zë njeri turinjtë në kurth?

25 gj A mund ta zësh Leviatanin me grep

e t’ia mbash gjuhën me tërkuzë?

26 A mund t’ia lidhësh hundën me xunkth

e t’ia shposh nofullën me kanxhë?

27 Mos vallë do të të përgjërohet shumë

e do të të flasë ëmbël?

28 A do të lidhë besën me ty

e ti do ta marrësh përgjithmonë si shërbëtor?

29 A do të luash me të si me një zog,

apo do ta lidhësh për vajzat e tua?

30 A do ta nxjerrin në shitje ortakët

e tregtarët do ta ndajnë mes tyre?

31 A do t’ia mbushësh lëkurën me fuzhnja

e kokën me grepa peshku?

32 Vër dorë në të e mbaje mend luftimin,

e më nuk do ta përsëritësh».


 gj40.25-32 të tjerë i rendisin si 41.1-8