Jobi 39

«A e di ti kur pjellin dhitë e malit?

A i ke vrojtuar drenushat kur lindin?

Ua ke njehur vallë plotësimin e muajve?

Ua di vallë kohën e pjelljes,

kur shtrihen e lindin të vegjlit

dhe nxjerrin në dritë frytin e dhimbjes?

Mëkëmben këlyshët e tyre e rriten përjashta,

ikin e më tek ato nuk kthehen.

Kush e lëshoi në liri gomarin e egër?

Kush ia zgjidhi litarin mushkës,

të cilës i caktova si shtëpi shkretëtirën

e si vendbanim dheun kripor?

Ai e përqesh rrëmujën e qytetit

e nuk i dëgjon klithmat e ndjekësve.

Endet kullotave të veta malore

e kërkon çdo bimë të blertë.

A pranon bizoni të të shërbejë?

A e kalon natën në stallën tënde?

10 A e vë dot në brazdë për laku?

A do të vijë pas teje duke pluguar?

11 A do t’i zësh besë atij, se është shumë i fortë,

e do t’ia ngarkosh atij punën tënde?

12 A beson se ai do të kthehet

e do ta sjellë farën në lëmë?

13 Gëzueshëm i rreh krahët struci,

por zogjtë i bën pa pendë e puplag,

14 vezët përtokë i vë

e në pluhur i ngroh,

15 ndonëse këmba mund t’i shkelë

e bisha mund t’i shtypë.

16 Ashpër sillet me zogjtë,

a thua se s’janë të vetët

e s’ka frikë se punon kot.

17 Se ia hoqi Perëndia urtinë

e s’ia dha zgjuarsinë.

18 Kur ngrihet e flatron,

kalë e kalorës përqesh.

19 A ia jep ti kalit fuqinë?

Krifën në qafë, vallë, ti ia vure?

20 A e bën ti të kërcejë si karkalec?

Hingëllima e tij madhështore tmerron.

21 Hareshëm thundron me forcë në luginë,

armëve përballë u del.

22 E përbuz frikën e nuk tutet,

nuk zbythet para shpatës.

23 Nga pas i tringëllon kukura,

heshta përshkënditëse e shtiza.

24 Me tërbim e furi dheun ha

e as zëri i borisë nuk e ndal.

25 Kur bie boria, thotë: “Hihi!”.

Nga larg nuhat luftën,

britmën e prijësve e gjëmën e betejës.

26 Mos flatron skifteri falë dijes sate

e krahët drejt jugut i hap?

27 Mos vallë nën urdhrin tënd lartohet shqiponja

e në lartësi folenë vë?

28 Mbi shkëmb ajo ngul

e mbi prita kreshtash shkëmbore bun.

29 Prej andej e vrojton prenë,

prej larg sytë e saj e shohin.

30 Zogjtë e saj pinë gjak

e ku ka të vrarë, aty ajo gjendet».


 g39.13 të tjerë: fletët e puplat t’lejlekut flut’rojnë