1 «Për këtë më dridhet zemra
e më del nga vendi.
2 Dëgjojeni, dëgjojeni krismën e zërit të tij,
buçimën që del nga goja e tij.
3 Nën qiellin mbarë e lëshon
e vetima gjer në skajet e tokës shkon.
4 Pas saj buçet një zë,
shkreptin me zërin madhështor
e asgjë s’i ndalon rrufetë
pasi iu është dëgjuar zëri.
5 Shkreptin Perëndia me zërin e tij
e bën mrekulli që ne nuk i njohim.
6 I thotë borës: “Bjer mbi tokë!”
dhe zbraz shira të rrëmbyeshëm.
7 Ai e ndal dorën e të gjithë njerëzve,
që të gjithë njerëzit veprën e tij ta njohin.
8 Egërsirat shkojnë në strofujt e vet
e struken në banën e vet.
9 Prej jugës vjen stuhia
e acari prej murrlanit.
10 Fryma e Perëndisë përfton akullin
e ngrin syprina e ujërave.
11 Retë i ngarkon me lagështi
e vetimat e tij shpërndajnë.
12 Shtillen gjithandej nën drejtimin e tij,
për të kryer gjithçka u urdhëroi në botën përmbi dhe,
13 se ai i përftoi ose për ndëshkim,
ose për tokën e vet, ose për mirësi.
14 Dëgjo këtu, o Job,
zër vend e mrekullitë e Perëndisë mendo.
15 A e di ti si u jep urdhra Perëndia
e si e nxjerrin retë e tij rrufenë?
16 A e di ti si fluturojnë retë?
A i njeh mrekullitë e dijeplotit
17 ti, që petkat të ngrohin,
kur mbi dhe fashitet juga?
18 Mos vallë me të i shtrive retë
të ngurtë si pasqyrë e shkrirë?
19 Na mëso çfarë t’i themi atij,
se nuk marrim vesh për shkak të errësirës.
20 A mund t’i thuhet se unë dua të flas?
Nëse ai flet, njeriu do të përpihet.
21 Mirëpo nuk e shohin njerëzit dritën
tek shkëlqen mbi re,
derisa era t’i shpërndajë.
22 Nga veriu vjen drita e artë
e madhështia mahnitëse Perëndinë rrethon.
23 Të gjithëpushtetshmin ne nuk mund ta gjejmë,
ai është madhështor në pushtet e drejtësi
dhe nuk e nëpërkëmb drejtësinë e madhe.
24 Prandaj njerëzit i tremben atij,
por ai nuk i përfill
ata që pandehen zemërurtë».