Kuptimi i vërtetë i vuajtjeve të Jobit
1 Elihui foli sërish e tha:
2 «Ki pak durim e unë do të të mësoj,
sepse ende mund të flas për Perëndinë.
3 Prej së largu do ta nxjerr njohurinë time
e krijuesit tim do t’i jap të drejtë,
4 se vërtet nuk janë të rreme fjalët e mia
e me ty po flet një dijeplotë.
5 Ja, Perëndia është i fuqishëm e nuk përbuz,
e fuqishme forca e kuptimit të tij.
6 Të paudhin nuk e lë të gjallë
e të pikëlluarve ua jep të drejtën.
7 Nuk i heq sytë nga i drejti,
por i vendosi mbi fron me mbretërit
e të madhëruar janë përgjithmonë.
8 Nëse kanë rënë në pranga
e janë zënë në leqet e pikëllimit,
9 ai u tregon veprat e tyre
e shkeljet që bënë prej krenarisë,
10 u hap veshët të dëgjojnë qortimin
e u bën thirrje të lënë prapësinë.
11 Nëse dëgjojnë e atij i shërbejnë,
në begati do t’i shtyjnë ditët
e vitet në kënaqësi.
12 Por, në mos e dëgjofshin,
nëpër shpatë do të kalojnë,
do të japin shpirt pa e kuptuar si.
13 Zemërpërdalët grumbullojnë zemërim
e kur Perëndia t’i robërojë nuk kërkojnë shpëtim.
14 Të rinj ata heqin shpirt,
u shuhet jeta në lavirësi.
15 Me pikëllim i shpëton të pikëlluarit,
me fatkeqësi veshët ua hap.
16 Edhe ty të nxori nga gryka e ngushticës
në një vend të hapur, pa shtrëngesa,
e plot me gjellë të majme
u shtrua tryeza jote.
17 Ti u mbushe me gjykime të mbrapshta,
por gjykimi i drejtë mbi ty do të bjerë.
18 Je i zemëruar, por mos u tall,
shumë blatove, por mos e tepro.
19 A të nxjerr nga ngushtica britma jote
me gjithë mundin e fuqisë sate?
20 Mos e dëshiro atë natë
kur popujt do të shkojnë në vendin që u takon.
21 Ruhu e mos iu kthe ligësisë,
se për shkak të saj të zuri pikëllimi».
Madhështia e Perëndisë
22 «Ja, i madhërishëm është Perëndia në fuqinë e vet,
ku ka udhërrëfyes si ai?
23 Kush ia caktoj udhën atij
e kush i tha: “Veprove keq”?
24 Kujtohu ta madhërosh veprën e tij,
të cilës njerëzit këngë i thurën.
25 Mbarë njerëzia e ka kundruar,
secili e vështron nga larg.
26 Po, i madhërishëm është Perëndia
e ne nuk e rrokim dot,
të panumërueshme janë vitet e tij.
27 Pikëzat e ujit lart ai i ngre
e avujt e tyre kthehen në shira,
28 që retë i zbrazin
e me rrëshekë mbi njerëzit bien.
29 Kush e merr me mend shtrirjen e resë
dhe ushtimën e banesës së tij?
30 Ja, ai e rrethon veten me dritë
dhe thellësitë e detit i mbulon.
31 Kështu i gjykon ai popujt,
u jep ushqim me mbushulli.
32 Në pëllëmbë të dorës i mban rrufetë
e i urdhëron të gjuajnë.
33 Gjëmimi i tyre flet për të,
zemërimi i tij nuk e duron të keqen.f»