Ndërhyrja e Elihuit
1 Tre burrat nuk iu përgjigjën më Jobit, se atij i dukej vetja i drejtë. 2 Atëherë Elihui, biri i Barahel Buzitit, prej fisit të Ramit, u zemërua fort me Jobin, për shkak se e hiqte veten më të drejtë se Perëndia. 3 Ai u zemërua shumë edhe me tre shokët e tij, se ata, edhe pse e dënonin Jobin, nuk e kishin gjetur përgjigjen. 4 Elihui kishte pritur e nuk kishte folur me Jobin, ngaqë ata ishin më të moshuar. 5 Kur Elihui pa se nga goja e tre burrave nuk doli asnjë përgjigje, u zemërua se tepërmi.
6 Atëherë Elihui, biri i Barahel Buzitit, u përgjigj e tha:
7 «Thashë me vete: “Le të flasë mosha
e urtinë vitet e shumta le ta kumtojnë!”.
8 Mirëpo vetëm shpirti e jepka kuptimin,
ai dhe fryma e të gjithëpushtetshmit.
9 Nuk janë të urtë veç të moshuarit
e të drejtën s’e kuptojnë veç pleqtë.
10 Prandaj unë thashë: “Dëgjomëni!
Dua edhe unë ta shpalos dijen time”.
11 Ja, i prita fjalët tuaja,
mençurinë tuaj e dëgjova
kur po kërkonit fjalët.
12 Jua vura mendjen, por ja,
askush s’e mposhti Jobin,
fjalëve të tij asnjëri s’iu përgjigj.
13 Edhe mos thoni: “Ja çfarë është e urtë:
Perëndia ta mposhtë, e jo njeriu”.
14 Asnjë fjalë s’ma drejtoi mua
e s’do t’i përgjigjem me fjalët tuaja.
15 U mposhtën e s’u përgjigjën më,
u iku fjala nga goja.
16 Unë prita, por ata nuk folën,
u ndalën e s’u përgjigjën më.
17 Por edhe unë, unë vetë do të them diçka,
edhe unë do ta shpalos dijen time.
18 Dëng unë jam me fjalë
e shpirti më shtyn nga brenda.
19 Përbrenda jam si vera që s’merr frymë
e i pëlcet kacekët e rinj.
20 Duhet të flas e të shfrej,
ta hap gojën e të gjegjem.
21 Nuk do t’i mbaj krah askujt,
as do të lajkatoj njeri,
22 se lajkat nuk i njoh
e do të më zhbënte bërësi im».