Vetëmbrojtja e Jobit
1 «Me sytë e mi besë kisha lidhur
asnjë virgjëreshë për të mos e këqyrur.
2 Ç’hise më ra së larti prej Perëndisë,
ç’trashëgim nga lart prej të gjithëpushtetshmit?
3 A nuk i bie zezona të ligut,
a nuk i godet kobi keqbërësit?
4 A nuk e sheh ai sjelljen time?
A s’i numëron tërë hapat e mi?
5 Po të kem jetuar me mashtrim
e po të ketë rendur këmba ime drejt dredhisë,
6 le të më peshojë me peshoren e drejtësisë
e Perëndia do ta njohë përsosjen time.
7 Nëse hapat e mi e lanë rrugën,
nëse zemra ndoqi lakminë e syve,
e nëse duart m’u ndynë,
8 unë mbjellsha, një tjetër ngrëntë
e u zhbiftë fara ime!
9 Nëse ndonjë grua zemrën ma joshi
e nëse mikut te dera pritë i vura,
10 për tjetërkënd bluajtë gruaja ime
e tjetërkush u shtriftë mbi të,
11 se diçka e tillë është poshtërsi
e gjyq lyp e tillë ligësi,
12 ndaj zjarri përpiftë deri edhe humnerën
dhe e shkretoftë të vjelën time.
13 Nëse s’ia dhashë të drejtën skllavit
apo skllaves që tek unë u ankuan,
14 ç’të bëj kur Perëndia të ngrihet?
Në më hetoftë, si t’i përgjigjem?
15 A s’i krijoi edhe ata, ai që mua më krijoi?
A s’na vendosi ai njësoj në bark të nënës?
16 Mos vallë skamnorëve dëshirat s’ua plotësova
e i lashë të lëngojnë sytë e të vejave?
17 Apo vetë e hëngra kafshatën
e jetimët prej saj nuk hëngrën?
18 Që në rini si atë e rrita,
që prej barkut të nënës unë i priva.
19 Mos vallë kur pashë një të gjorë pa petka
e një nevojtar pa mbulojë,
20 s’më bekuan ijët e tij?
A s’u ngroh ai me leshin e shqerrës sime?
21 Po të kem ngritur dorë ndaj jetimit,
pasi pashë se në gjyq më përkrahin,
22 supi nga shpatulla m’u shkultë
e krahu në bërryl m’u këputtë,
23 se më tmerron kobi i Perëndisë
e madhështisë së tij nuk i bëj dot ballë.
24 A e vara unë shpresën tek ari?
Po arin e kulluar, “besimi im” e quajta?
25 A mos u ngazëlleva për begatinë e madhe
apo se dora ime mblodhi shumë?
26 Nëse e pashë dritën të ndriçojë
e hënën të ecë feksur
27 dhe zemra fshehtas aq m’u gënjye
sa me dorë nga buzët puthje t’u dërgoja,
28 faj për t’u gjykuar edhe ky do të ishte,
se Perëndinë e tejlartë do ta mohoja.
29 A u gëzova unë për kob të armikut tim?
A u ngazëlleva pse i ra e liga?
30 S’e lashë gojën time të mëkatojë,
duke lëshuar nëmë mbi jetën e tij.
31 Po a nuk thoshin njerëzit e tendës sime:
“Kush s’u ngop me mishin që ai i dha?”.
32 Udhëtari kurrë në rrugë nuk bujti,
se shtegun e derës sime hapur ia lashë.
33 Mos vallë si Adami fajin tim e fsheha?
Mos në kraharor e ndryva ligësinë,
34 a thua se druaja turmën e madhe
e përbuzja e fisit sikur më trembte
sa gojën të mbyllja e nga dera të mos dilja?
35 Ah, sikur dikush të më dëgjonte!
Ja nënshkrimi! Të më përgjigjet i gjithëpushtetshmi!
Se librin që shkroi paditësi im
36 e mbaj mbi shpatulla,
e thur kurorë për vete.
37 Çdo hap atij do t’ia tregoj,
si princ atij unë do t’i qasem.
38 Nëse vikati toka kundër meje
e nëse brazdat qajnë me të,
39 nëse frytin pa pagesë ia hëngra
e nëse bujqve të saj ua mora shpirtin,
40 në vend të grurit gjemba le të qesë
e në vend të elbit egjër».
Mbarojnë fjalët e Jobit.