Të paudhët i shpëtojnë ndëshkimit
1 Jobi u përgjigj e tha:
2 «Dëgjoni me vëmendje fjalët e mia
e ky do të jetë ngushëllim për mua.
3 Duromëni e unë do të flas
dhe, si të kem folur, përqeshmëni.
4 Vallë kundër një njeriu po ankohem?
Pse të mos e humb duresën?
5 Kthehuni kah unë e shtanguni,
Mbajeni gojën me dorë.
6 Tronditem kur kujtohem
e mishi më rrëqethet.
7 Pse vallë rrojnë të paudhët,
madje moshohen e forcohen më shumë?
8 Bijtë pranë tyre zënë vend
me pinjojtë e tyre para syve.
9 Të qeta i kanë shtëpitë e s’tremben,
nuk i godet shkopi i Perëndisë.
10 Mëzati i tyre ndërzen e s’i del huq,
lopa e tyre nuk e dështon viçin.
11 Djemtë e tyre porsi grigja dalin
e valle fëmijët e tyre hedhin.
12 I bien dajres e lirës,
me tinguj fyelli ata kënaqen.
13 I ngrysin ditët në begati
e të qetë zbresin në skëterrë.
14 Perëndisë i kanë thënë: “Larg nesh!
S’duam t’i njohim udhët e tua.
15 Çfarë është i gjithëpushtetshmi, që t’i shërbejmë?
E çfarë fitojmë, po t’i përgjërohemi?”.
16 Ata e kanë vetë në dorë begatinë,
por, larg meje këshilli i të paudhëve!
17 Sa herë u shuhet kandili të paudhëve?
Sa herë i zë zezona?
Sa herë Perëndia i brengos i zemëruar?
18 Mos janë si kashta që e merr era
apo si byku që e përlan furtuna?
19 Thuhet se Perëndia e ruan ndëshkimin për bijtë e të ligut.
Le t’i ndëshkojë, pra, ata, që të marrin vesh!
20 Me sytë e vet ta shohin rrënimin
e zemërimin e të gjithëpushtetshmit të pinë.
21 Për kë lënë pas nuk mërziten,
kur muajt e jetës krejt t’u kenë mbaruar.
22 A i mësohet dija Perëndisë,
atij që gjykon ata që janë lart?
23 Dikush vdes në begati,
fare i qetë e fare i kënaqur,
24 me ijët plot qumësht
e me palcën njomur.
25 Dikush vdes me shpirt të hidhëruar,
të mirën kurrë pa e shijuar.
26 Në pluhur njësoj prehen
e krimbat i mbulojnë.
27 Ah, sa mirë i njoh mendimet tuaja,
shestimet tuaja, për të më mujshuar.
28 Se më thoni: “Ku është shtëpia e fisnikut?
Ku është tenda e banimit të të paudhëve?”.
29 Pse nuk pyetët udhës kalimtarët
e nuk pranoni provat e tyre,
30 se në ditën e mynxyrës shpëton i paudhi,
në ditën e furisë ai e gjen rrugëdaljen.
31 Kush i qorton ndër sy për sjelljen e tyre
e kush ua kthen për çfarë kanë bërë?
32 Pasi ta kenë çuar në varrezë të ligun,
mbi varrin e tij do të vënë rojë
33 e lehtë plisat e dheut mbi të do të prehen.
Pas tij do të shkojë gjithë njerëzia,
e panumërt do të ecë para tij.
34 Si doni të më ngushëlloni me kotësira?
Përgjigjet tuaja janë veç dredhi?».