Prova e dytë e Jobit
1 Një ditë bijtë e Perëndisë shkuan për t’u paraqitur para Zotit e bashkë me ta shkoi edhe Satani, për t’u paraqitur para Zotit. 2 Zoti i tha Satanit: «Nga po vjen?». Satani iu përgjigj: «Nga toka. Iu solla rrotull e i rashë kryq e tërthor». 3 Atëherë Zoti i tha: «A të ka rënë në sy shërbëtori im, Jobi? Askush mbi tokë nuk është si ai, njeri i përkryer e i drejtë, që e druan Perëndinë dhe i kthen shpinën të keqes. Ende është i përkryer, edhe pse ti më shtyve kundër tij, për ta rroposur më kot». 4 Satani iu përgjigj: «Lëkurë për lëkurë! Njeriu jep gjithçka për të shpëtuar jetën. 5 Vër dorë mbi kockat dhe mishin e tij, në s’ka për të të mallkuar haptas». 6 Zoti i tha Satanit: «Ja, po ta lë në dorë, por jetën kurseja!». 7 Atëherë Satani u largua nga Zoti. Satani e goditi Jobin me çibanë të këqij që nga shputat e këmbëve deri në majë të kresë. 8 Jobi mori një copë tjegull për t’u kruar dhe u ul në mes të hirit. 9 Atëherë e shoqja i tha: «Prapë mbetesh i patëmetë? Mallko Perëndinë e vdis!». 10 Por ai iu përgjigj: «Ti po flet siç flet një e marrë. Të mirën e pranojmë nga Perëndia, po të keqen, mos ta pranojmë?».
Me të gjitha këto, Jobi nuk mëkatoi me buzët e veta.
11 Tre miq të Jobit dëgjuan për tërë këtë kob që i kishte rënë dhe erdhën secili nga vendi i vet: Elifaz Temaniti, Bildad Shuhiti e Cofar Namatiti. U mblodhën për të shkuar tek ai së bashku, për t’i ndenjur pranë e për ta ngushëlluar. 12 E panë prej së largu, por nuk e njohën. Atëherë qanë me të madhe dhe secili i shqeu petkat e veta. Hodhën pluhur përpjetë e u ra mbi kokë. 13 Pastaj u ulën përtokë bashkë me të për shtatë ditë e shtatë net e nuk i thanë asnjë fjalë, sepse e panë sa e madhe ishte dhimbja e tij.