Jobi 18

Bildad Shuhiti flet për dënimin e të paudhëve

Bildad Shuhiti u përgjigj e tha:

«Kur do t’ua nxirrni fundin fjalëve?

Mendohuni mirë e pastaj do të flasim.

Pse të dukemi si bagëti

e qenkemi të pamend?

Ti po gërryen veten me zemërimin tënd,

por a u shkretuaka dheu

e luajtkan shkëmbinjtë për shkakun tënd?

Po, të paudhit do t’i shuhet drita

e flaka nuk do të shndrisë në vatër të tij.

Në tendën e tij do të errësohet drita

e pishtari mbi të do të shuhet.

Hapi i tij i vendosur do të luhatet

e do të bjerë në kurthin e vet.

Këmbët do t’i zihen në rrjetë

e do të endet i lidhur për laku.

Do të bjerë me këmbë në kurth

e nyja do ta shtrëngojë.

10 Nën dhe është fshehur laku i tij

e gracka e tij në shteg.

11 Tmerri e zë ngado të sillet,

hap pas hapi e gjëmon.

12 Uria do t’ia mekë fuqinë

e mjerimi i rri në pritë.

13 Brejtja do t’ia brejë lëkurën

e gjymtyrët do t’ia hajë kryevdekja.

14 Do të nxirret nga banesa e tij e sigurt

e do të zvarritet para mbretit të llahtarshëm.

15 Banon në banesën e tij çka s’është e tij,

e prona e tij do të spërkatet me sulfur.

16 Rrënjët e tij do të kalben nga poshtë,

nga sipër do të thahen degët e tij.

17 Kujtimi i tij do të shuhet

e nuk do të dëgjohet në rrugë emri i tij.

18 Do ta plandosin nga drita në terr

e nga kjo botë do ta dëbojnë.

19 As fëmijë, as pasardhës nuk do të lërë në popull,

nuk do të mbesë njeri në shtëpinë e tij.

20 Kur t’i vijë dita, do të tmerrohet perëndimi

e lindjen do ta zërë drithërima.d

21 Ky, pra, është fundi i të ligut,

këtu e ka vendin kush s’njeh Perëndinë».


 d18.20 të tjerë: Fundi i tij i lë të habitur ata që e kanë ndjekur dhe mbeten të tmerruar ata që e kanë pararendur