1 «Po më zihet fryma,
po më shuhen ditët
e varri po më pret.
2 A nuk më rrethojnë shpotitësit?
Sytë m’i kanë zënë trazuesit.
3 Bëhu, pra, dorëzanë për mua!
Kush tjetër do të ma japë dorën?
4 Meqë ua more mendjen,
nuk do t’i lësh të ngadhënjejnë.
5 Kush kallëzon miqtë dhe ndan bukën me miqtë
u zë sytë fëmijëve.ç
6 Ai më bëri përrallë para njerëzve
e për t’u pështyrë në fytyrë jam bërë.
7 Sytë më janë errur nga dhimbja
e gjymtyrët m’u bënë të gjitha si hije.
8 Të drejtët çuditen për këtë
e i pafajshmi zemërohet kundër të pafeut.
9 Por i drejti qëndron në udhën e tij
e kush ka duar të pastra bëhet më i fortë.
10 Ejani prapë ju të gjithë
e nuk do të gjej ndër ju asnjë të urtë.
11 Kaluan ditët e mia, u zvordhën shestimet e mia,
ëndjet e zemrës sime.
12 Ata e bëjnë natën ditë
e thonë se errësira i afrohet dritës.
13 S’kam tjetër shpresë, veç të banoj në skëterrë,
në errësirë ta vë shtrojën time.
14 Varrit i thashë: “Im atë je ti”
e krimbave: “Ju jeni nëna e motrat e mia”.
15 Ku është, pra, shpresa ime?
Kush mund ta shohë shpresën time?
16 A do të zbresë me mua në skëterrë
e bashkë në pluhur do të zhytemi?».
ç17.5 ose: Kush e ndan bukën me miqtë i lë fëmijët pa ngrënë