Jobi beson te drejtësia hyjnore
1 Jobi u përgjigj e tha:
2 «Shumë fjalë të tilla kam dëgjuar.
Ju të gjithë jeni ngushëllues të mjerë.
3 A marrin fund fjalët që i merr era
apo çfarë të ngacmon të përgjigjesh?
4 Edhe unë do të flisja si ju,
po të ishit ju në vendin tim.
Do të thurja fjalë kundër jush
e para jush do ta tundja kokën.
5 Do t’ju forcoja me fjalë
e me buzët e mia do ta ndalja brengën.
6 Po të flas, nuk më fashitet dhimbja,
por as po të hesht nuk më largohet.
7 Mirëpo ai më këputi,
më la pa shoqëri.
8 Ti më sfilite e kjo është dëshmia,
edhe krusma ime kundër meje dëshmon.
9 Me zemërimin e vet më copëton e më përndjek,
dhëmbët kundër meje i kërcëllin,
armiku im gërdhuc sytë kundër meje.
10 E kanë hapur gojën kundër meje,
më tallin e me gjuajnë në fytyrë,
kundër meje janë mbledhur tok.
11 Perëndia më la në dorë të çunakëve,
në duart e të paudhëve më hodhi.
12 Isha mirë, por ai më copëtoi,
më kapi për zverku e më rroposi,
më vuri në shënjestrën e vet.
13 Më rrethuan shigjetat e tij,
pa mëshirë veshkat m’i shqeu,
përtokë ma derdhi vrerin.
14 Më shporon me plagë pas plage
e më vërsulet si luftëtar.
15 E kam qepur grathoren për lëkure,
e kam zhytur ballin në pluhur.
16 M’u mavijos fytyra nga vajtimi
e terri m’i mbuloi qepallat,
17 ndonëse duart e mia nuk bënë dhunë
dhe e dëlirë është lutja ime.
18 Mos e mbulo, o tokë, gjakun tim
e mos zëntë vend britma ime!
19 E kam që tash në qiell dëshmitarin,
është atje lart ai që më del zot.
20 Miqtë më shpotisin
e syri im derdh lot drejt Perëndisë,
21 që ai të gjykojë mes njeriut e Perëndisë
siç gjykon njeriu me njeriun,
22 se i kam të numëruara vitet
e udhës pa kthim po shkoj».