Rrethimi i Jerusalemit
1 «Arratisuni, o bijtë e Benjaminit,
nga mesi i Jerusalemit!
Bjerini borisë në Tekoa,
jepni një shenjë në Betkerem,
se prej veriut u nis zezona
e rrënimi i madh.
2 Të hijshmen, të brishtën, bijën e Sionit,
do ta rrënoj.
3 Kundër saj do të vijnë barinjtë me grigjat e veta,
përreth saj do t’i ngulin tendat,
do të kullotin, secili në krahun e vet.
4 Përgatitni luftën kundër saj!
Ngrihuni, ta sulmojmë në mes të ditës!
Mjerë ne, se iku dita,
se u zgjatën hijet e mbrëmjes.
5 Ngrihuni, ta sulmojmë natën,
t’ia shembim fortesat.
6 Se kështu thotë Zoti i ushtrive:
“Prijani pemët,
ngrini ledhe rreth Jerusalemit.
Këtë qytet e pret rrënimi,
gjithçka është shtypëse në mesin e tij.
7 Siç e ruan pusi ujin e vet,
ashtu e ka ruajtur të freskët paudhësinë.
Dhunë e rrëmujë dëgjohet në të,
lëngatë e plagë kam gjithmonë para syve.
8 Pranoje qortimin, Jerusalem,
që të mos largohem prej teje,
që mos të të kthej në shkretim,
në tokë të pabanuar”.
9 Kështu thotë Zoti i ushtrive:
“Shkoqeni, shkoqeni porsi hardhinë
tepricën e Izraelit,
vër dorë në të si vjelësi në shermende”.
10 Kujt t’i flas e t’i drejtohem,
që të më dëgjojnë?
Ja, veshët i kanë të parrethprerë
e nuk mund të jenë të vëmendshëm.
Ja, tallen me Fjalën e Zotit,
nuk kënaqen me të.
11 Prandaj jam plot me zemërimin e Zotit,
u lodha duke u përmbajtur.
Zbraze, pra, përmbi fëmijët në rrugë,
edhe përmbi kuvendin e të rinjve,
se do të kapen burrë e grua,
plak e i moshuar.
12 Shtëpitë e tyre do t’u jepen të tjerëve,
me ara e me gra,
se do të shtrij dorën mbi banorët e dheut,
kumton Zoti.
13 Se nga më i vogli te më i madhi
të gjithë kërkojnë përfitime,
nga profeti te prifti
të gjithë janë dredharakë.
14 E shërojnë plagën e popullit tim me mendjelehtësi
duke thënë: “Paqe, paqe”, por paqe s’ka.
15 Mos vallë u vjen turp që veprojnë neveritshëm?
As u vjen turp, as dinë të skuqen.
Prandaj do të bien me të rënët,
në kohën e ndëshkimit do të rrëzohen,
thotë Zoti.
16 Kështu thotë Zoti:
“Ndaluni ndanë udhëve e shikoni,
pyesni për udhët e qëmoçme,
ku është udha e mbarë, që të ecni në të
e të gjeni prehje për shpirtrat tuaj”.
Por ata thanë: “Nuk do të ecim andej”.
17 Atëherë ju caktova rojtarët:
“Vërini vesh zërit të bririt!”.
Por m’u përgjigjën:
“Nuk do t’i vëmë vesh!”.
18 Prandaj, dëgjoni, o kombe,
e merrni vesh, o kuvendarë, çfarë do t’u ndodhë.
19 Dëgjo, o tokë: “Ja, po i sjell të mbrapshtën këtij populli,
frytin e shestimeve të tyre,
se nuk u vunë vesh fjalëve të mia
dhe e shpërfillën ligjin tim.
20 Pse më kushtoni temjanin e Shebës
apo kanellën e shijshme që vjen prej së largu?
Flitë tuaja të shkrumbimit nuk më kënaqin,
flijimet tuaja nuk më pëlqejnë”.
21 Prandaj, kështu thotë Zoti:
“Ja, do t’i vë pengesa këtij populli
e ata do të pengohen etër e bij njësoj,
i afërmi e miku i tij do të rrënohen”.
22 Kështu thotë Zoti:
“Ja, një popull po vjen prej dheut të veriut,
nga skajet e dheut
një komb i madh po ngrihet,
23 harkun e heshtën vringëllojnë,
është mizor e i pamëshirshëm,
ushtima e tij si ushtima e detit,
mbi kuaj kalërojnë,
si trup i vetëm për betejë kundër teje,
o bija e Sionit”.
24 Kur e dëgjuam këtë lajm,
duart na u prenë,
ankthi e dhimbjet na zunë
si dhimbjet e gruas që lind.
25 Mos dilni ndër ara,
mos ecni në rrugë,
se armiku ka shpatë
e gjithandej ka tmerr.
26 O bija e popullit tim, vish grathoren,
zhgërryhu në hi,
mbaj zi si për të vetmin djalë,
vajto me hidhërim,
se befas do të bjerë mbi ne rrënimtari.
27 Ty të caktova furrnaltë për të spastruar popullin tim,
fortesë, që të vëresh e të shqyrtosh sjelljen e tij.
28 Të gjithë janë kryeneçë,
përhapës trillimesh,
janë si bronzi e hekuri,
të gjithë janë shthurur.
29 Rrësheku i fryn zjarrit,
që zjarri plumbin krejt ta shkrijë,
por më kot bëhet shkrirja,
se papastërtitë nuk ndahen.
30 “Argjend i përjashtuar” quhen,
se Zoti i ka përjashtuar».