Jeremia 52

Shtojcë

Sedekia ishte njëzet e një vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi njëmbëdhjetë vjet në Jerusalem. E ëma e tij quhej Hamitala dhe ishte bija e Jeremisë nga Libnahu. Ai bëri çka është keq në sytë e Zotit, ashtu siç kishte bërë Jehojakimi. Ishte Zoti që, nga zemërimi, i solli këto fatkeqësi mbi Jerusalem e mbi Judë, derisa i dëboi nga prania e tij. Edhe Sedekia ngriti krye kundër mbretit të Babilonisë.

Në ditën e dhjetë të muajit të dhjetë të vitit të nëntë të mbretërimit të Sedekisë, Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, erdhi me gjithë ushtrinë e tij për të sulmuar Jerusalemin, ngriti fushimin përballë qytetit dhe ngriti një mur rrethues rreth e rrotull tij. Qyteti mbeti i rrethuar deri në vitin e njëmbëdhjetë të mbretërimit të Sedekisë. Ditën e nëntë të muajit të katërt uria u bë aq e rëndë në qytet saqë nuk kishte më ushqim për popullin. U hap një e çarë në qytet dhe të gjithë luftëtarët u arratisën e dolën nga qyteti natën, në drejtim të Arabahut, përmes portës që ndodhej mes dy mureve, pranë kopshtit të mbretit, ndërsa kaldenjtë e mbanin qytetin të rrethuar. Ushtarët e kaldenjve e ndoqën pas mbretin dhe e kapën Sedekinë në fushën e Jerikosë. Mbretin e kishte braktisur e gjithë ushtria e tij. Ata e kapën dhe e çuan te mbreti i Babilonisë në Riblah, në tokën e Hamatit, ku ai i shpalli vendimin. 10 Mbreti i Babilonisë ia theri bijtë Sedekisë para syve. Ai theri edhe të gjithë prijësit e Judës në Riblah. 11 Sedekisë i nxori sytë dhe e lidhi me vargonj. Mbreti i Babilonisë e mori në Babiloni dhe e mbajti në burg deri ditën kur vdiq.

12 Në ditën e dhjetë të muajit të pestë të vitit të nëntëmbëdhjetë të mbretërimit të Nabukodonosorit, në Babiloni, Nebuzaradani, kryerojtari në shërbim të mbretit të Babilonisë, hyri në Jerusalem. 13 Ai dogji tempullin e Zotit, pallatin mbretëror dhe u vuri zjarrin të gjitha shtëpive të Jerusalemit, veçanërisht shtëpive të fisnikëve. 14 Mbarë ushtria e kaldenjve, bashkë me kryerojtarin, shkatërruan muret e Jerusalemit. 15 Vegjëlinë dhe pjesën tjetër të popullit, ata që i ishin dorëzuar mbretit të Babilonisë, dhe zyrtarët e tjerë i shpërnguli në mërgim Nebuzaradani, kryerojtari. 16 Nebuzaradani, kryerojtari, la disa nga më të varfrit e vendit për vreshtari e bujqësi.

17 Kaldenjtë copëtuan shtyllat e bronzit, bazat dhe detin prej bronzi, që ishin në tempullin e Zotit dhe tërë bronzin e çuan në Babiloni. 18 Morën edhe rrethjet, lopatëzat, thikat, kovat, kupat dhe të gjitha pajisjet prej bronzi që përdoreshin për shërbesat. 19 Kryerojtari mori edhe govatat, mangallët, stërpikëset, kupëzat, shandanët, kusitë e gotat, të artat e të argjendtat. 20 Pesha e bronzit të të gjitha pajisjeve të dy shtyllave të detit të vetëm, të dymbëdhjetë qeve prej bronzi, që ishin nën të, e të mbartësve që i kishte bërë mbreti Solomon për tempullin e Zotit, nuk mund të llogaritej. 21 Njëra prej shtyllave ishte e lartë nëntë metra dhe duhej një fill gjashtë metra i gjatë për t’i matur gjerësinë. Trashësinë e kishte katër gisht, se brenda ishte golle. 22 Sipër kishte një kokë prej bronzi dhe lartësia e kokës ishte dy metra e gjysmë. Përreth kokës kishte një rrjetë e disa shegë, gjithçka prej bronzi. Njësoj ishte edhe shtylla tjetër, bashkë me shegët. 23 Shegët ishin nëntëdhjetë e gjashtë. Shegët përreth rrjetës ishin gjithsej njëqind.

24 Kryerojtari mori robër edhe kryepriftin Serajah, priftin e rendit të dytë, Sofoninë, dhe tre rojtarët e pragut të tempullit. 25 Nga qyteti mori robër zyrtarin që mbikëqyrte luftëtarët, shtatë këshilltarë të mbretit, që i gjeti në qytet, shkruesin e kreut të ushtrisë, që thërriste ushtarë djemtë e popullit, si dhe gjashtëdhjetë vetë nga ata që u gjendën në mes të qytetit. 26 Nebuzaradani, kryerojtari, i zuri robër dhe ia çoi mbretit të Babilonisë në Riblah. 27 Atëherë mbreti i Babilonisë i goditi për vdekje në Riblah, në vendin e Hamatit. Kështu, populli i Judës u shpërngul nga dheu i vet.

28 Kjo është njerëzia që Nabukodonosori shpërnguli: në vitin e shtatë, tre mijë e njëzet e tre judenj; 29 në vitin e tetëmbëdhjetë të Nabukodonosorit, nga Jerusalemi u shpërngulën tetëqind e tridhjetë e dy vetë; 30 në vitin e njëzetetretë të Nabukodonosorit, Nebuzaradani, kryerojtari, shpërnguli shtatëqind e dyzet e pesë judenj. Gjithsej katër mijë e pesëqind vetë.

Lirimi i Jehojakinit

31 Tridhjetë e shtatë vjet pas shpërnguljes së Jehojakinit, mbretit të Judës, në robëri, Evil Merodaku u bë mbret i Babilonisë. Në ditën e njëzetepestë të muajit të dymbëdhjetë, në fillim të mbretërimit të tij, e liroi Jehojakinin, mbretin e Judës, dhe e nxori nga burgu. 32 Ai fliste me dashamirësi me Jehojakinin dhe i caktoi një fron më të lartë se mbretërve të tjerë që ishin me të në Babiloni. 33 Jehojakini ndërroi rrobat e burgut dhe hëngri në një tryezë me mbretin deri në fund të jetës. 34 Mbreti i Babilonisë i dha çdo ditë sasinë e caktuar të gjërave që i nevojiteshin deri ditën që vdiq.