Kundër Moabit
1 Për Moabin.
Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit:
«Mjerë Neboja,
se do të shkretohet.
Kirjataimi do të turpërohet e do të pushtohet,
do të turpërohet kështjella e do të thërrmohet.
2 Nuk bën më bujë Moabi.
Në Heshbon sendërgjuan ligësi kundër tij:
ejani, ta shuajmë si komb.
Edhe ti, o Madmen, do të heshtësh
e shpata do të të ndjekë.
3 Një zë, një britmë nga Horonaimi:
shkretim e rrënim i madh!
4 U thërrmua Moabi,
të miturit e tij lëshojnë vikamën.
5 Se ngjiten përpjetës së Luhitit
e vajtojnë
edhe në tatëpjetën e Horonaimit
dëgjohen vikamat e rrënimit.
6 Mbathjani, shpëtoni veten,
se do të bëheni si Aroeri* në shkretëtirë.
7 Se, pasi besove në veprat e tua e në thesaret e tua,
edhe ti do të pushtohesh,
Kemoshi do të shkojë në mërgim
bashkë me priftërinjtë e me prijësit.
8 Një shkatërrimtar do të vijë kundër çdo qyteti
e asnjë qytet nuk do të shpëtojë.
Do të rrënohet lugina
e do të shkatërrohet pllaja,
siç shpalli Zoti.
9 Jepini krahë Moabit,
se do të fluturojë.
Qytetet e tij do të shkretohen
e nuk do të ketë banorë në to.
10 Mallkuar kush e kryen me plogështi veprën e Zotit
dhe mallkuar kush e ruan shpatën nga gjaku.
11 I qetë ishte Moabi që në rini,
i patrazuar mbi llumin e vet,
i pazbrazur nga ena në enë,
se nuk qe shpërngulur,
prandaj i ka mbetur shija
e nuk ka ndryshuar erë.
12 Prandaj, ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, e do t’i dërgoj zbrazës, që do ta zbrazin, do t’ia derdhin enët e do t’ia copëtojnë kacekët. 13 Moabi do të ketë turp për Kemoshin, siç pati turp shtëpia e Izraelit për Betelin, ku kishte varur shpresën.
14 Si mund të thoni: “Ne jemi trima
e burra të fuqishëm për betejë”?
15 Po çohet shkatërrimtari i Moabit
e i qyteteve të tij
e lulja e rinisë së tij do të bjerë në thertore,
kumton mbreti që e ka emrin Zot i ushtrive.
16 Afër është mjerimi i Moabit,
zezona e tij vjen me shumë ngut.
17 Për të vajtoni gjithë ju që e rrethoni,
gjithë ju që ia dini emrin, thoni:
“Si u thye druri i fortë,
shkopi i lavdishëm?”.
18 Zbrit nga lavdia
e bano në thatësirë,
o banor i Dibonit,
se po çohet kundër teje shkatërrimtari i Moabit
e ai do t’i rrënojë
qytetet e tua të fortifikuara.
19 Rri pranë udhës e vështro,
o ti që banon në Aroer.
Pyet ikanakun e ikanaken
e thuaj: “Çfarë ka ndodhur?”.
20 Turpërohet Moabi, se u shemb.
Vajtim e britmë!
Shpallni në Arnon,
se u shkatërrua Moabi.
21 Erdhi gjykimi për dheun e rrafshnaltës, për Holonin, për Jahacin, për Mefatin, 22 për Dibonin, për Nebonë, për Bet Diblataimin 23 për Kirjataimin, për Bet Gamulin, për Bet Meonin, 24 për Keriotin, për Bocrahun e për të gjitha qytetet e dheut të Moabit, të largëtat e të afërtat. 25 Iu këput briri Moabit e iu thye krahu, kumton Zoti.
26 Deheni, se u mbajt më i madh se Zoti, prandaj do të plandoset Moabi në të vjellat e veta e do të bëhet qesharak edhe ai. 27 A nuk ishte qesharak Izraeli për ju? A u kap ndër vjedhës, që, sa herë flisje për të, tundje kokën?
28 Braktisni qytetet e banoni ndër shkëmbinj,
o banorë të Moabit,
bëhuni si pëllumbi
që e vë folenë buzë humnerës.
29 Kemi dëgjuar për krenarinë e Moabit,
e madhe është krekosja e tij,
krenaria e tij, mburrja e tij
e mendjemadhësia e tij.
30 E njoh kryeneçësinë e tij,
kumton Zoti,
por e kotë është mburrja e tij
e të kota veprat e tij.
31 Prandaj vajtoj për Moabin,
për Moabin mbarë bërtas,
për të gjithë njerëzit e Kir Heresit ofshaj.
32 Më shumë se për Jazerin vajtoj për ty,
o vreshti i Sibmahut.
Shermendet e tu mbërrijnë përtej detit,
mbërrijnë gjer në Jazer.
Mbi të korrat e tua e mbi të vjelat e tua
shkatërrimtari po vërsulet.
33 U zhduk gëzimi e hareja
nga vreshti e nga dheu i Moabit.
E ndala verën prej torkut,
askush nuk shtyp me gëzim,
gëzimi nuk është më gëzim.
34 Nga britmat e Heshbonit deri në Elealeh e deri në Jahac e çojnë zërin, nga Coari në Horonaim e në Eglat Shlishijah, se edhe ujërat e Nimrimit janë shkretuar. 35 Do ta zhduk Moabin, kumton Zoti, atë që kushton fli në vend të lartë, që u kushton fli temjani perëndive të vet. 36 Prandaj ofshan zemra ime porsi fyell për Moabin, ofshan zemra ime porsi fyell për njerëzit e Kir Heresit, prandaj do ta humbasin begatinë që mblodhën.
37 Se do të rruhet çdo kokë e do të pritet çdo mjekër. Çdo dorë është gërvishtur dhe ijët i kanë mbuluar me grathore. 38 Mbi të gjitha pullazet e Moabit e mbi të gjitha sheshet e tij gjithçka është vajtim, se e thërrmova Moabin si enën pa vlerë, kumton Zoti. 39 Si u shkatërrua! Vajtoni! Si e ktheu kokën i turpëruar Moabi! Moabi u bë qesharak e tmerr për të gjithë ata që e rrethojnë.
40 Se kështu thotë Zoti:
ja, si shqiponja flatron
e hap krahët ndaj Moabit.
41 Qytetet do të pushtohen
e fortesat do të zaptohen.
Atë ditë, zemra e trimave të Moabit
si zemra e gruas që lind do të jetë.
42 Mori fund Moabi e nuk është më popull,
se u krekos kundër Zotit.
43 Tmerri, gropa e laku të presin,
o banor i Moabit, kumton Zoti.
44 Kush ikën për shkak të tmerrit,
do të bjerë në gropë.
Ai që do të ngjitet nga gropa,
do të zihet në lak,
se do të dërgoj kundër Moabit
vitin e ndëshkimit, kumton Zoti.
45 Te hija e Heshbonit ndalen
ikanakët e mekur,
por zjarr shpërthen prej Heshbonit
e flakë prej pallatit të Sihonit
dhe e përpin ballin e Moabit
e kafkën e zhurmëtarëve.
46 Mjerë ti, Moab,
u rrënove, o populli i Kemoshit,
se u zunë robër bijtë e tu
e robinja, bijat e tua.
47 Por unë do t’i kthej robërit e Moabit
në ditët e fundit, kumton Zoti».
Deri këtu gjykimi i Moabit.