Kumt kundër Egjiptit
1 Fjala e Zotit që iu drejtua profetit Jeremi për kombet.
2 Për Egjiptin. Kundër ushtrisë së faraonit Nekoh, mbretit të Egjiptit, pranë lumit Eufrat, në Karkemish, të cilin Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, e kishte mundur në vitin e katërt të Jehojakimit, birit të Josisë, mbretit të Judës:
3 «Bëni gati shqyt e mburojë
e afrohuni për betejë.
4 Shaloni kuajt
e hipni, o kalorës.
Rreshtohuni me përkrenare,
pastroni heshtat,
ngjishni armët.
5 Pse i shoh të tmerruar,
tek kthehen pas?
Luftëtarët e tyre u shpartalluan
e ua mbathin këmbëve
pa kthyer kokën.
Tmerr rreth e qark, kumton Zoti.
6 Nuk do të shpëtojë i shkathti
e nuk do të ikë dot as trimi.
Në veri, ndanë lumit Eufrat,
pengohen e bien.
7 Kush është ky që fryhet si Nili,
si lumenjtë që gufojnë me ujë?
8 Egjipti fryhet si Nili,
si lumenjtë që gufojnë me ujë.
E thotë: do të ngrihem,
do ta mbuloj tokën,
do të shkatërroj qytetet
bashkë me banorët e tyre.
9 Përpara, o kuaj!
Tërbohuni, o karroca!
Dilni, o luftëtarë,
Kushi e Puti, që mbani shqyt,
e ju luditë që mbani e ndehni hark.
10 Por ajo ditë do të jetë për Zotin,
Perëndinë e ushtrive,
dita kur me armiqtë do të hakmerret.
Shpata do të përpijë,
do të ngihet e do të ngopet me gjakun e tyre,
se do të jetë flijim për Zotin tonë, Zotin e ushtrive,
në dheun e veriut, ndanë lumit Eufrat.
11 Ngjitu në Gilead e merr balsam,
o virgjëreshë, bija e Egjiptit.
Kot i shumove përkujdesjet,
se s’ka shërim për ty.
12 Kombet e kanë marrë vesh turpin tënd,
plot është toka me vikamën tënde,
se luftëtari pengohet nga luftëtari
e të dy rrëzohen së bashku».
Pushtimi i Egjiptit
13 Fjala që Zoti i tha profetit Jeremi, kur Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, erdhi për të sulmuar Egjiptin.
14 «Shpalleni në Egjipt,
le të dëgjohet në Migdol,
le të dëgjohet në Memfis e Tahpanhes,
thanë: dilni e bëhuni gati,
se shpata rreth teje po përpin.
15 Pse u përmbysën të fortët e tu?
Nuk qëndrojnë dot,
se Zoti i shtyu.
16 Ai pengoi shumë vetë
e ata ranë mbi njëri-tjetrin
dhe thanë:
çohuni, të kthehemi te populli ynë,
te dheu ku lindëm,
larg shpatës shfarosëse.
17 Quajeni atje faraonin, mbretin e Egjiptit,
“Zhurmëmadhi që i ikën rasti”.
18 Pasha jetën time, kumton mbreti,
që e ka emrin Zot i ushtrive,
si Tabori ndër male
e si Karmeli buzë detit
do të vijë dikush.
19 Bëje gati trastën për mërgim,
o bijë që në Egjipt banon,
se Memfisi do të shkretohet
e nuk do të ketë banorë.
20 Si drenushë e bukur fort është Egjipti,
por miza e kalit po i vjen prej veriut.
21 Edhe ushtarët mëditës në mesin e saj
janë porsi viçat e majmë,
por edhe ata do të kthehen
e bashkë do të arratisen.
Nuk do të qëndrojnë,
se u erdhi dita e rrënimit,
koha e ndëshkimit.
22 Zëri i saj si gjarpri rrëshqitës,
se armiqtë vijnë me fuqi,
vijnë kundër saj me sëpata,
porsi druvarë.
23 Do ta presin pyllin e saj, kumton Zoti,
edhe pse është i dendur, se nuk numërohen dot,
janë porsi karkalecat
e nuk kanë numër.
24 Do të turpërohet bija e Egjiptit,
popullit të veriut do t’i lihet në dorë».
25 Thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: «Ja, do ta ndëshkoj Amonin e Nosë, faraonin, Egjiptin me perënditë e mbretërit e tij, faraonin dhe ata që i besojnë atij. 26 Do t’i lë në dorë të atyre që kërkojnë t’ua marrin shpirtin, në dorë të Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, dhe të shërbëtorëve të tij. E pastaj Egjipti do të bëhet i banuar, si dikur, kumton Zoti.
27 Por ti mos u tremb, shërbëtori im Jakob,
mos u frikëso, Izrael,
se, ja, do të të çliroj prej dheut të largët
dhe pasardhësit e tu prej dheut të robërisë.
Do të kthehet Jakobi, do të prehet e do të çlodhet
dhe askush nuk do ta trembë.
28 Ti mos u tremb,
shërbëtori im Jakob, kumton Zoti,
se unë jam me ty.
Do t’i zhbij të gjitha kombet
ndër të cilat të shpërndava,
por ty nuk do të të zhbij.
Do të të qortoj me drejtësi,
vërtet, nuk do të të lë pa ndëshkim».