Profeti i rremë Hananiah
1 Në po atë vit, në fillim të mbretërimit të Sedekisë, mbretit të Judës, në vitin e katërt, në muajin e pestë, më foli Hananiahu, biri i Azurit, profetit të Gibeonit, në tempullin e Zotit, para priftërinjve e mbarë popullit, e më tha: 2 «Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: do ta thyej zgjedhën e mbretit të Babilonisë. 3 Brenda dy vjetëve unë do t’i kthej në këtë vend të gjitha enët e tempullit të Zotit, që Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, i mori nga ky vend dhe i barti në Babiloni. 4 Do të kthej në këtë vend edhe Jehonjahun, birin e Jehojakimit, mbretit të Judës, si edhe të gjithë të shpërngulurit nga Juda, që shkuan në Babiloni, kumton Zoti, se unë do ta thyej zgjedhën e mbretit të Babilonisë».
5 Profeti Jeremi iu përgjigj profetit Hananiah para priftërinjve e mbarë popullit që gjendej në tempullin e Zotit. 6 Profeti Jeremi tha: «Amen! Ashtu e bëftë Zoti! I plotësoftë Zoti fjalët që profetizove e i ktheftë nga Babilonia në këtë vend enët e tempullit të Zotit dhe të gjithë të shpërngulurit! 7 Veçse, dëgjoje fjalën që kam për të thënë për veshët tuaj e për veshët e mbarë popullit: 8 profetët, që kanë jetuar para teje e para meje, kaherë kishin profetizuar luftë, uri e murtajë kundër shumë vendeve e mbretërive të mëdha. 9 Prandaj, për profetin që profetizon paqe, vetëm pasi t’i përmbushet fjala do të dihet se është një profet, që me të vërtetë e kishte dërguar Zoti».
10 Atëherë profeti Hananiah e hoqi zgjedhën prej qafës së profetit Jeremi dhe e theu. 11 Pastaj Hananiahu foli para mbarë popullit e tha: «Kështu thotë Zoti: po kështu do ta thyej nga qafa e të gjitha kombeve zgjedhën e Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, për dy vjet». Mandej profeti Jeremi shkoi udhës së vet.
12 Pasi profeti Hananiah e kishte thyer zgjedhën prej qafës së profetit Jeremi, fjala e Zotit iu drejtua Jeremisë e i tha: 13 «Shko e thuaji Hananiahut: “Kështu thotë Zoti: ti theve zgjedhën prej druri, por unë do të bëj një tjetër prej hekuri në vend të saj. 14 Se kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: u kam vënë në qafë të gjitha kombeve një zgjedhë të hekurt, që t’i nënshtrohen Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, e t’i shërbejnë. Deri edhe kafshët e fushës ia kam dhënë atij”». 15 Atëherë profeti Jeremi i tha profetit Hananiah: «Dëgjo, Hananiah! Ty nuk të ka dërguar Zoti, por ti e ke shtyrë këtë popull t’i besojë gënjeshtrës, 16 prandaj, kështu thotë Zoti: “Ja, do të të fshij nga faqja e dheut. Këtë vit ti do të vdesësh, sepse ke shpallur kryeneçësi kundër Zotit”».
17 Në muajin e shtatë të atij viti profeti Hananiah vdiq.