Zgjedha
1 Në fillim të mbretërimit të Sedekisë, të birit të Josisë, mbretit të Judës, kjo fjalë iu drejtua Jeremisë prej Zotit e i tha: 2 «Kështu më tha Zoti: bëj për vete litarë e zgjedhë e vëri në qafë. 3 Çoi fjalë mbretit të Edomit, mbretit të Moabit, mbretit të amonitëve, mbretit të Tirit e mbretit të Sidonit me anë të lajmëtarëve që kanë ardhur në Jerusalem te Sedekia, mbreti i Judës. 4 Urdhëroji t’u thonë zotërinjve të vet: “Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: kështu thuajuni zotërinjve tuaj: 5 unë i sajova tokën, njeriun dhe bagëtinë, me fuqinë time të madhe e me krahun tim të shtrirë, prandaj ia jap kujt të më duket e drejtë. 6 Tani ia lashë tërë këto toka në dorë Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, shërbëtorit tim. Edhe kafshët e fushës ia dhashë atij që t’i shërbejnë. 7 Atij do t’i shërbejnë të gjitha kombet, birit të tij dhe birit të birit të tij, derisa t’i vijë koha edhe vendit të tij, kur edhe atë do ta robërojnë kombe të shumta e mbretër të madhërishëm.
8 Por kombin dhe mbretërinë që nuk do t’i nënshtrohet Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, dhe nuk do t’ia shtrojë qafën zgjedhës së mbretit të Babilonisë, atë komb do ta ndëshkoj me shpatë, me uri e me murtajë, kumton Zoti, derisa t’i shuaj përmes tij. 9 Prandaj, ju mos i dëgjoni profetët tuaj, falltarët, vegimtarët, ëndërrimtarët, magjistarët e shortarët tuaj, që ju thonë të mos i nënshtroheni mbretit të Babilonisë. 10 Ju profetizojnë në rrenë, për t’ju larguar nga toka juaj, që unë t’ju dëboj e të rrënoheni. 11 Por kombin që do t’ia shtrijë qafën zgjedhës së mbretit të Babilonisë e do t’i nënshtrohet, do ta lë në tokën e vet, kumton Zoti, që ta punojë e të banojë në të”.
12 Edhe Sedekisë, mbretit të Judës, i thashë të njëjtat fjalë: “Shtrijani qafën zgjedhës së mbretit të Babilonisë, shërbejini atij e popullit të tij e do të jetoni. 13 Pse doni të vdisni prej shpatës, prej urisë e prej murtajës ti e populli yt, siç ka paralajmëruar Zoti për atë komb që nuk do t’i nënshtrohet mbretit të Babilonisë? 14 Mos i dëgjoni fjalët e profetëve, që ju thonë të mos i nënshtroheni mbretit të Babilonisë, sepse po ju thonë profeci të rreme. 15 Nuk i kam dërguar unë, kumton Zoti, dhe ata profetizojnë në rrenë në emrin tim, prandaj unë do t’ju dëboj e do të rrënoheni ju e profetët që profetizojnë për ju”».
16 Pastaj iu drejtova priftërinjve e mbarë popullit e u thashë: «Kështu thotë Zoti: mos i dëgjoni fjalët e profetëve tuaj, që profetizojnë për ju, e thonë: “Ja, enët e tempullit të Zotit do të kthehen tani, së shpejti, prej Babilonisë”, sepse profetizojnë gënjeshtra për ju. 17 Mos i dëgjoni. Nënshtrojuni mbretit të Babilonisë e do të jetoni. Pse të shkretohet ky qytet? 18 Nëse ata janë profetë e nëse fjala e Zotit është me ta, le t’i luten Zotit të ushtrive që enët e mbetura në tempullin e Zotit dhe në pallatin e mbretit të Judës e të Jerusalemit të mos shkojnë në Babiloni. 19 Se kështu thotë Zoti i ushtrive në lidhje me shtyllat, me detin, me mbajtëset e me enët e tjera të mbetura në këtë qytet, 20 e që Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, nuk i mori kur shpërnguli nga Jerusalemi në Babiloni Jehonjahun, birin e Jehojakimit, mbretit të Judës, dhe tërë fisnikët e Judës e të Jerusalemit. 21 Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, në lidhje me enët e mbetura në tempullin e Zotit, në pallatin e mbretit të Judës dhe në Jerusalem: 22 do të barten në Babiloni e atje do të mbesin deri kur t’i kërkoj, kumton Zoti. Pastaj do t’i sjell e do t’i kthej në këtë vend».