Shportat e fiqve
1 Zoti më tregoi dy shporta me fiq, vendosur kundruall tempullit të Zotit, pasi Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, kishte shpërngulur nga Jerusalemi Jehonjahun, birin e Jehojakimit, mbretit të Judës, princat e Judës, zejtarët e farkëtarët e Jerusalemit, dhe i kishte shpënë në Babiloni. 2 Njëra shportë ishte me fiq shumë të mirë, siç janë fiqtë e parë, ndërsa shporta tjetër ishte plot me fiq të këqij, aq të këqij sa nuk haheshin dot. 3 Zoti më tha: «Çfarë sheh, Jeremi?». U përgjigja: «Fiq. Fiqtë e mirë janë shumë të mirë e fiqtë e këqij, shumë të këqij. Aq të këqij, sa nuk hahen dot».
4 Atëherë fjala e Zotit m’u drejtua e tha: 5 «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: sikurse këta fiq të mirë, ashtu do t’i vështroj me mirësi të shpërngulurit e Judës që i dërgova nga ky vend në vendin e kaldenjve. 6 Do t’i ngul sytë e mi mbi ta për të mirën e tyre e do t’i kthej te kjo tokë. Do t’i ndërtoj e nuk do t’i shemb, do t’i mbjell e nuk do t’i shkul. 7 Do t’u jap një zemër që të më njohin, se unë jam Zoti. Ata do të jenë populli im e unë do të jem Perëndia i tyre, sepse do të kthehen tek unë me gjithë zemër.
8 Por, sikurse me këta fiq të këqij, aq të këqij sa nuk hahen dot, kështu thotë Zoti, njësoj do të sillem me Sedekinë, mbretin e Judës, me princat e tij, me tepricën e Jerusalemit, që do të mbetet në vend dhe me ata që banojnë në dheun e Egjiptit. 9 Do t’i bëj tmerr e kob për të gjitha mbretëritë e tokës, përçmim e përrallë, tallje e mallkim në të gjitha vendet ku do t’i dëboj. 10 Do të dërgoj kundër tyre shpatën, urinë e murtajën, derisa t’i shuaj nga dheu që u dhashë atyre dhe etërve të tyre».