Mëkati i Judës
1 Mëkati i Judës është shkruar me penë të hekurt, është gdhendur me majë diamanti në rrasën e zemrës së tyre dhe në brirët e altarëve tyre. 2 Kështu do t’i kujtojnë bijtë e tyre altarët dhe shtyllat e Asherave të tyre pranë pemëve të harlisura, në kodra të larta, 3 në mal e në arë. Pasurinë tënde dhe thesaret e tua do t’i jap për plaçkë, për shkak të mëkatit të faltoreve në vende të larta të trojeve të tua. 4 Do të heqësh dorë nga trashëgimia jote, që unë ta pata dhënë, do të të bëj skllav të armiqve të tu në një tokë që nuk e njeh, se e ndeze zemërimin tim që do të jetë në flakë përgjithmonë.
5 Kështu thotë Zoti:
«Mallkuar ai burrë që në njeriun beson,
që gjen forcë te qenia njerëzore
e prej Zotit zemrën e largon.
6 Do të jetë si shkurrja në stepë
e nuk do të shohë si vjen e mbara,
do të banojë thatinave në shkretëtirë,
në tokë kripore të pabanueshme.
7 Bekuar njeriu që në Zotin beson,
besimi i të cilit është Zoti vetë.
8 Do të jetë si pemë e mbjellë ndanë ujit,
që rrënjët drejt rrjedhës i shtrin.
Nuk do t’i trembet zhegut që vjen,
e gjethet do t’i harlisen.
Në vitin e thatësirës nuk do ta zërë brenga
e nuk do të reshtë së dhëni fryte.
9 Më mashtruese është zemra se çdo gjë,
e pashërueshme është ajo,
kush mund ta kuptojë?
10 Unë, Zoti, shqyrtoj zemrën,
hetoj veshkat,
për t’i dhënë secilit sipas sjelljes së vet,
sipas frytit të veprave të veta.
11 Si shkurta që ngroh vezët që s’i ka bërë vetë,
ashtu edhe kush mbledh pasuri me padrejtësi:
në gjysmën e ditëve të tij do ta bjerrë
e në fund do të mbetet i marrë».
12 Fron i lavdishëm, i lartësuar që në krye të herës,
është vendi i shenjtërores sonë.
13 O shpresë e Izraelit, o Zot,
ata që të braktisin do të turpërohen të gjithë,
ata që të kthejnë krahët, mbi pluhur do të shkruhen,
se braktisën burimin e ujit të gjallë: Zotin.
Lutja e Jeremisë
14 Shëromë, o Zot, e do të shërohem,
shpëtomë, e do të shpëtohem,
se ti je lavdi im.
15 Ja, ata më thonë:
«Ku është fjala e Zotit?
Le të përmbushet, pra».
16 Por unë nuk u shporra,
nuk reshta së shërbyeri pas teje si bariu,
ditën e zezë nuk e dëshirova, ti e di,
çfarë doli nga buzët e mia, para teje ishte.
17 Mos u bëj tmerr për mua,
ti, streha ime në ditë të ligë.
18 U turpërofshin armiqtë e mi,
por mos u turpërofsha unë!
U tmerrofshin ata
e mos u tmerrofsha unë!
Sillua atyre ditën e ligë
e rrënoi me dy rrënime.
Shenjtërimi i të shtunës
19 Kështu më tha Zoti: «Shko e qëndro te Porta e Popullit, nëpër të cilën hyjnë mbretërit e Judës e nga e cila dalin, edhe te të gjitha portat e Jerusalemit. 20 E thuaju: dëgjojeni fjalën e Zotit, o mbretërit e Judës, mbarë Juda e të gjithë banorët e Jerusalemit, që hyjnë nëpër këto dyer. 21 Kështu thotë Zoti: për hir të jetës suaj, kini kujdes të mos mbartni asnjë barrë në ditën e shtunë e mos ta sillni përmes portave të Jerusalemit. 22 Mos nxirrni asnjë barrë nga shtëpitë tuaja në ditë të shtunë e mos bëni asnjë punë, por shenjtërojeni ditën e shtunë, siç i urdhërova etërit tuaj. 23 Veçse ata nuk dëgjuan e nuk vunë vesh, por u bënë kryeneçë, për të mos e dëgjuar e për të mos e pranuar qortimin.
24 Nëse do të më dëgjoni mirë, kumton Zoti, nëse nuk do të sillni asnjë barrë nëpër dyert e këtij qyteti në ditë të shtunë e do ta shenjtëroni ditën e shtunë, pa bërë asnjë punë në të, 25 atëherë do të hyjnë nëpër dyert e këtij qyteti mbretër e princa, që ulen mbi fronin e Davidit, me karroca e kuaj, ata e zyrtarët e tyre, burrat e Judës dhe banorët e Jerusalemit, e ky qytet do të banohet përgjithmonë. 26 Do të vijnë prej qyteteve të Judës e prej rrethinave të Jerusalemit, prej dheut të Benjaminit, nga Shefelahu, nga kodrinat, nga Negevi, duke mbartur fli shkrumbimi, fli drithi, temjan e duke sjellë fli falënderimi në tempullin e Zotit. 27 Por, nëse nuk do të më dëgjoni mua, për të shenjtëruar ditën e shtunë, për të mos mbartur barra e për të mos i sjellë nëpër dyert e Jerusalemit në ditë të shtunë, unë do të ndez në dyert e tij një zjarr që do t’i përpijë kullat e Jerusalemit e nuk do të shuhet».