Ankimi i Jeremisë
1 Ti je i drejtë, o Zot,
që unë të të bëj gjyq,
por për vendimet dua të flas me ty.
Pse përparon udha e të mbrapshtëve
dhe të gjithë tradhtarët janë të qetë?
2 Ti i mbolle e ata vënë rrënjë,
rriten e japin fryte.
Të mbajnë afër me gojë,
por larg ndjenjaveb të tyre.
3 Por ti, o Zot, më njeh e më sheh,
ma sprovove zemrën e ajo është me ty.
Shqyeji porsi delet në thertore,
ndaji veç për ditën e therjes.
4 Deri kur do të rrijë në zi toka
e bari i mbarë fushave do të vyshket?
Kafshët e zogjtë shfarosen,
për shkak të banorëve,
se thonë: «Ai nuk e sheh të ardhmen tonë».
Përgjigjja e Zotit
5 Nëse ke vrapuar me këmbësorët e je lodhur,
si do të bësh garë me kuajt?
Nëse ke besim vetëm në një tokë të qetë,
çfarë do të bësh në shkurrnajën e Jordanit?
6 Se edhe vëllezërit tuaj e shtëpia e atit tënd,
edhe ata të bënë dredhi,
edhe ata të hakërrehen nga pas me plot gojën.
Mos u beso,
edhe nëse të flasin ëmbël.
7 E braktisa shtëpinë time,
e flaka trashëgiminë time,
e lëshova të dashurën e shpirtit tim
në duart e armiqve të mi.
8 Trashëgimia ime sillet me mua
si luani në pyll.
Ngriti zërin kundër meje,
prandaj e përbuz.
9 Vallë, zog grabitqar larosh
është trashëgimia ime për mua?
Le ta rrethojnë zogjtë grabitqarë.
Shkoni, mblidhni mbarë kafshët e egra
e sillini të hanë.
10 Barinj të shumtë e dëmtuan vreshtin tim,
e shkelmuan arën time,
arën time të dashur
e kthyen në djerrinë të shkretë.
11 E kthyen në dhe të shkretë
e ashtu e shkretë më qahet mua.
E shkretë është mbarë toka,
se askush nuk e ka për zemër.
12 Në të gjitha rrahet e shkretëtirës
rendin shkatërrimtarët,
se shpata e Zotit përlan
nga njëri skaj i tokës në skajin tjetër
e s’ka paqe për asnjë gjallesë.
13 Mbollën drithë e korrën driza,
u munduan e gjë s’fituan,
do të turpërohen me të korrat e veta,
për shkak të zemërimit të flaktë të Zotit.
14 Kështu thotë Zoti: «Në lidhje me të afërmit e mi të mbrapshtë, të cilët prekin trashëgiminë që i dhashë popullit tim Izraelit, ja, do t’i zhbij nga mbarë dheu i tyre e do të shkul edhe shtëpinë e Judës nga mesi i tyre. 15 Por, pasi t’i kem shkulur, do të kthehem, do t’i përdëllej e do t’i kthej secilin te trashëgimia e vet dhe te toka e vet. 16 Pastaj, nëse mësojnë udhët e popullit tim dhe betohen në emrin tim: “Pasha Zotin e gjallë”, siç kishin mësuar popullin tim të betohej për Baalin, atëherë do të zënë vend në mes të popullit tim. 17 Nëse nuk do të dëgjojnë, do ta zhbij atë komb e do ta zhduk, kumton Zoti».