Besëlidhja
1 Fjala që Zoti i drejtoi Jeremisë e i tha: 2 «Dëgjojini fjalët e kësaj besëlidhjeje dhe foluni njerëzve të Judës e banorëve të Jerusalemit. 3 Thuaju atyre: “Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: mallkuar qoftë njeriu që nuk i dëgjon fjalët e kësaj besëlidhjeje, 4 që u urdhërova etërve tuaj, kur i nxora nga toka e Egjiptit, nga shkritoret. U pata thënë: dëgjojeni zërin tim dhe zbatoni gjithçka ju urdhërova, që ju të jeni populli im e unë të jem Perëndia juaj, 5 që të mund ta mbaj betimin që u bëra etërve tuaj, për t’u dhënë një tokë ku rrjedh qumësht e mjaltë, siç është sot”». Atëherë unë u përgjigja: «Ashtu qoftë, Zot!».
6 Dhe Zoti më tha: «Shpall në qytetet e Judës dhe në rrugët e Jerusalemit të gjitha këto fjalë: dëgjojini fjalët e kësaj besëlidhjeje dhe zbatojini, 7 se fort i porosita etërit tuaj, që nga dita kur i nxora nga Egjipti deri më sot, duke u thënë ta dëgjonin zërin tim. 8 Por ata nuk dëgjuan e nuk vunë vesh, përkundrazi, secili ndoqi kryeneçësinë e zemrës së vet të ligë, prandaj ua vura kundër të gjitha fjalët e kësaj besëlidhjeje që u urdhërova ta zbatonin, por nuk e zbatuan».
9 Zoti më tha: «Njerëzit e Judës dhe banorët e Jerusalemit kanë bërë një përbetim. 10 Ata iu kthyen ligësive të hershme të etërve të tyre, të cilët nuk deshën t’i dëgjonin fjalët e mia, por shkuan pas perëndive të tjerë e u shërbyen. Shtëpia e Izraelit dhe shtëpia e Judës e thyen besëlidhjen që unë kisha bërë me etërit e tyre. 11 Prandaj, kështu thotë Zoti: ja, po u lëshoj një fatkeqësi, prej të cilës nuk mund të shpëtojnë. Atëherë ata do të më thërrasin, por unë nuk do t’i dëgjoj. 12 Qytetet e Judës dhe banorët e Jerusalemit do të shkojnë e do të thërrasin perënditë, të cilëve u kushtojnë temjan, por ata nuk do t’i shpëtojnë, kur t’i ketë zënë fatkeqësia. 13 Se sa numri i qyteteve të tua janë edhe perënditë e tua, o Judë. Sa numri i rrugëve të Jerusalemit janë altarët e turpit, altarët për t’i kushtuar temjan Baalit.
14 Ti mos u lut për këtë popull. Mos lartëso përgjërime e lutje për të, se nuk do t’i dëgjoj, kur të më thërrasin në fatkeqësinë e tyre. 15 Çfarë do i shtrenjti im në shtëpinë time? Ka kryer shumë vepra të liga. A mund të ta shmangë ndëshkimin mishi i kushtuar, që pastaj të ngazëllesh? 16 Ulli i harlisur, i bukur e me fryte të shijshme, kështu ta kishte vënë emrin Zoti. Me ushtimën e stuhisë i vuri zjarr e u dogjën degët e tij. 17 Zoti i ushtrive, që të mbolli, shpalli fatkeqësinë kundër teje, nga fatkeqësia që i shkaktoi vetes shtëpia e Izraelit dhe shtëpia e Judës, duke më zemëruar me flinë kushtuar Baalit.
Jereminë e kërcënojnë
18 Zoti ma bëri të ditur dhe unë e mora vesh,
atëherë m’i zbulove veprimet e tyre.
19 E unë, si qengj i butë
që e çojnë në thertore,
nuk e dija se sendërgjonin kundër meje:
“Ta shembim pemën sa ka fryte,
ta shkulim nga toka e të gjallëve,
të mos i kujtohet më emri!”.
20 O Zoti i ushtrive, gjykatës i drejtë,
ti që veshkat dhe zemrën shqyrton,
ma shfaq hakmarrjen tënde kundër tyre,
se ty ta parashtrova çështjen time.
21 Prandaj, kështu thotë Zoti i ushtrive kundër njerëzve të Anatotit që duan të të marrin shpirtin e më thonë: “Mos profetizo në emër të Zotit, që mos të të vrasim me duart tona”. 22 Prandaj, kështu thotë Zoti i ushtrive: “Ja, do t’i ndëshkoj. Të rinjtë e tyre do të vdesin prej shpatës. Bijtë e bijat e tyre do të vdesin prej urisë. 23 Nuk do të mbesë gjallë askush prej tyre, se do t’u lëshoj fatkeqësinë njerëzve të Anatotit, në vitin e ndëshkimit të tyre”».