Dallimet ndërmjet njerëzve
1 Vëllezërit e mi, mos e përzieni besimin e Zotit tonë të lavdisë, Jezu Krishtit, me dallimet ndërmjet njerëzve. 2 E zëmë se kur mblidheni së bashku, vjen dikush që ka unazë ari e veshje të shtrenjta, si edhe një i varfër me veshje të vjetra. 3 Nëse tregoni kujdes të veçantë për atë që ka veshur rrobat e shtrenjta e i thoni: «Ti ulu këtu në vendin e mirë!», ndërsa të varfrit i thoni: «Ti rri në këmbë atje ose ulu këtu te këmbët e mia!», 4 a nuk bëni kështu dallime mes jush, duke u bërë gjykatës me mendime të liga? 5 Dëgjoni, vëllezërit e mi të dashur! A nuk i zgjodhi Perëndia të varfrit e botës për t’i bërë të pasur në besim dhe trashëgimtarë të mbretërisë që ua premtoi atyre që e duan? 6 Ndërsa ju nuk e nderuat të varfrin. A nuk janë të pasurit ata që ju sundojnë e ju heqin zvarrë nëpër gjyqe? 7 A nuk janë ata që përdhosin emrin e mirë me të cilin jeni quajtur?
8 Nëse zbatoni ligjin e mbretërisë sipas Shkrimit: duaje të afërtin si veten, bëni mirë. 9 Por nëse bëni dallime, bëni mëkat dhe ligji ju dënon si shkelës. 10 Kush e zbaton të gjithë ligjin, por e shkel në një pikë, bëhet fajtor ndaj të gjithë ligjit. 11 Sepse ai që tha: «Mos bëj tradhti bashkëshortore!», tha edhe: «Mos vrit!». Nëse nuk bën tradhti bashkëshortore, por vret, atëherë ke shkelur ligjin.
12 Prandaj flisni e veproni si njerëz që do të gjykohen me ligjin e lirisë. 13 Gjykimi do të jetë i pamëshirshëm me atë që nuk ka treguar mëshirë, ndërsa mëshira ngadhënjen mbi gjykimin.
Besimi e veprat
14 Ç’dobi ka, vëllezërit e mi, nëse dikush thotë se ka besim, por nuk ka vepra? A mund ta shpëtojë atë besimi? 15 Nëse ndonjë vëlla apo motër nuk ka rroba për të veshur dhe u mungon ushqimi i përditshëm, 16 dhe ndonjë nga ju u thotë: «Shkoni në paqe, ngrohuni e ngopuni!», por nuk u jep atyre gjërat e nevojshme për trupin, ç’dobi ka kjo? 17 Kështu, pra, edhe besimi pa vepra është i vdekur në vetvete.
18 Por, dikush do të thotë: «Ti ke besimin, ndërsa unë kam veprat». Unë i them: «Më trego si mund ta kesh besimin pa vepra dhe unë do të të tregoj besimin nga veprat e mia». 19 Ti beson se ka vetëm një Perëndi? Mirë bën. Edhe djajtë e besojnë dhe dridhen.
20 A do ta kuptosh, o njeri i kotë, se besimi pa vepra është i padobishëm? 21 A nuk u bë i drejtë nga veprat ati ynë, Abrahami, kur kushtoi birin e tij, Isakun, mbi altar? 22 A e shikon se besimi bashkëveproi me veprat e tij dhe u përsos nëpërmjet tyre? 23 Kështu u përmbush Shkrimi: Abrahami i besoi Perëndisë dhe kjo iu numërua për drejtësi. Ai u quajt mik i Perëndisë. 24 Pra, e shihni se njeriu bëhet i drejtë nga veprat e jo vetëm nga besimi. 25 Po ashtu edhe lavirja Rahabë. A nuk u bë e drejtë edhe ajo nga veprat kur priti të dërguarit dhe i përcolli nga një rrugë tjetër?
26 Sikurse trupi është i vdekur pa shpirtin, ashtu edhe besimi është i vdekur pa veprat.