Isaia 9

 

Populli, që ecte në errësirë,

pa një dritë të madhe,

mbi ata, që banonin në vendin e territ,

shkëlqeu drita.

Ti e madhështove atë komb,

gëzimin ia shtove,

gëzojnë para teje,

siç gëzojnë gjatë korrjes,

siç gëzojnë kur ndajnë prenë.

Se ti e theve zgjedhën që u rëndonte,

purtekën që mbi shpatulla u rrinte,

skeptrin e atij që i shtypte

e copëtove si në ditën e Midianit.

Çdo këpucë luftëtari që marshon

e çdo gunë e lyer në gjak

do të digjet e do të bëhet dru për zjarr.

Se na lindi një fëmijë, një djalë na u dha,

mbi supet e tij qëndron sundimi.

Emrin do ta ketë: «Këshilltar i mrekullueshëm,

Perëndi i fuqishëm, Atë i amshuar, princ i paqes».

I madh do të jetë sundimi i tij

e paqja nuk do të ketë fund

mbi fronin e Davidit e mbi mbretërinë e tij.

Do të zërë rrënjë e do të forcohet

në të drejtë e drejtësi,

që tani e deri në amshim.

E këtë ka për ta bërë

zelli i Zotit të ushtrive.

Zemërimi i Zotit me Izraelin

Zoti dërgoi fjalë kundër Jakobit

e ajo ra mbi Izraelin.

E mori vesh mirë mbarë populli,

Efraimi bashkë me banorët e Samarisë,

që me krenari e mburrje në zemër thanë:

«Tullat vërtet kanë rënë,

por do të ndërtojmë me gurë të latuar,

fiqtë vërtet na i kanë prerë,

por do t’i zëvendësojmë me cedra».

10 Zoti ngriti kundër tyre armiqësinë e Recinit,

kundërshtarët e tyre për luftë i nxiti.

11 Arami nga lindja e filistinët nga perëndimi

hapën gojën për ta përpirë Izraelin.

E megjithëkëtë zemërimi i tij nuk u fashit

e krahu i tij mbeti i shtrirë.

12 Por populli nuk u kthye tek ai që i goditi,

Zotin e ushtrive nuk e kërkoi.

13 Prandaj Zoti i preu Izraelit kokën e bishtin,

degën e palmës e kallamin, në një ditë të vetme.

14 Pleqësia e paria janë koka,

profeti e mësuesi i rremë janë bishti.

15 Udhëheqësit e këtij populli e ngashënjyen në mashtrim

dhe ata që udhëhiqeshin prej tyre u çoroditën.

16 Prandaj Zoti s’do të jetë i kënaqur me të rinjtë e tij,

s’do të tregojë mëshirë për jetimët e vejushat e tij,

se të gjithë janë të pafe e të paudhë,

çdo gojë thotë veç marrëzi.

E megjithëkëtë zemërimi i tij nuk u fashit

e krahu i tij mbeti i shtrirë.

17 Se paudhësia është ndezur flakë si zjarri,

ka përpirë ferrat bashkë me shkurret,

në mes të pyllit të dendur është ndezur,

shtëllunga-shtëllunga ngrihet tymi lart.

18 Prej zemërimit të Zotit të ushtrive u përvëlua toka,

populli u bë si druri që ushqen zjarrin

e askush nuk kursen as vëllanë e vet.

19 Përpin djathtas, por ende ka uri,

përlan majtas, por ende nuk ngopet,

secili gëlltit mishin e të afërtitç të vet.

20 Manaseu Efraimin, Efraimi Manaseun

dhe tok janë kundër Judës.

E megjithëkëtë zemërimi i tij nuk u fashit

e krahu i tij mbeti i shtrirë.


 ç9.19 he. krahut të vet