Isaia 63

Dita e hakmarrjes

Kush është ky që vjen nga Edomi,

nga Bocrahu me petka të kuqe?

Ky, që është veshur me kaq madhështi,

që po afrohet me kaq forcë?

Jam unë që flas me drejtësi,

që kam fuqi të shpëtoj.

Përse, pra, je veshur me të kuqe

dhe petkat i ke si ai që shtrydh rrushin?

I vetëm e shtrydha rrushin

e nga popujt askush s’qe me mua.

I shtypa me këmbë nga zemërimi,

i shtrydha nga mëria ime.

Gjaku i tyre m’i stërpiku petkat,

gjithë rrobat m’i njollosi.

Ja, ditën e hakmarrjes e kisha në zemër,

viti i shpengimit tim mbërriti!

Pashë e s’kishte kush të ndihmonte!

U shtanga e askush nuk më përkrahte!

Atëherë ngadhënjeu krahu im

e më përkrahu furia ime.

Me zemërim i shtypa popujt,

i deha me mërinë time,

gjakun e tyre përtokë e derdha.

Mirësinë e Zotit do ta kujtoj,

lavdërimin e Zotit

dhe gjithçka Zoti bëri për ne,

mirësinë e madhe, ndaj shtëpisë së Izraelit,

që i dhuroi nga dhembshuria

dhe nga mirësia e tij e pamasë.

Se tha: «Vërtet janë populli im,

bij që nuk merren me mashtrime»

dhe u bë shpëtimtari i tyre

në çdo fatkeqësi që kishin.

Nuk i shpëtoi as ndonjë njerinj

e as ndonjë engjëll,

por i shpëtoi vetë ai

dhe nga dashuria e mëshira i shpengoi.

Ai vetë i ngriti e i mbajti

gjatë gjithë ditëve të moçme.

10 Por ata ngritën krye

dhe e hidhëruan shpirtin e tij të shenjtë.

Prandaj u bë armiku i tyre,

vetë ai luftoi kundër tyre.

11 Atëherë popullit iu kujtuan ditët e lashta,

Moisiu me mbarë popullin.

«Ku është ai që i nxori ata prej ujit», thanë,

«Bashkë me barinjtë e tufës së tij?

Ku është ai që mes tyre vuri

shpirtin e tij të shenjtë?

12 Ai që, përmes krahut të djathtë të Moisiut,

i drejtoi me krahun e tij të madhërishëm?

Ai që i ndau ujërat para tyre,

për të fituar një emër të amshuar?

13 Ai që i kaloi nëpër fundin e humnerës,

siç kalon kali nëpër shkretëtirë, pa u penguar?

14 Ashtu si zbresin bagëtitë në luginë,

ashtu i çonte drejt prehjes Shpirti i Zotit.

Kështu i prive popullit tënd,

për të bërë një emër të madh».

15 Vështro prej qiellit e shiko

prej banesës sate të shenjtë e të madhërishme!

Ku është zelli e fuqia jote?

Dëshira jote e zjarrtë dhe mëshira jote

larg prej nesh qëndrojnë.

16 Sepse ti je ati ynë!

Abrahami nuk na njeh

dhe Izraelit s’i kujtohemi,

por ti, o Zot, je ati ynë,

«Shpenguesi ynë» është emri yt

që prej amshimit.

17 Përse na bën të endemi, o Zot,

larg prej udhëve të tua?

Përse i ngurtëson zemrat tona,

që ty mos të të druajmë?

Kthehu për hir të shërbëtorëve të tu,

për hir të fiseve të trashëgimit tënd.

18 Vetëm për pak kohë populli yt i shenjtë e trashëgoi tokën,

erdhën armiqtë dhe e shkelën shenjtëroren tënde.

19 Prej kohësh jemi bërë një popull

mbi të cilin ti nuk sundon më

e nuk thirret me emrin tënd.

o Ah, sikur t’i shqyeje qiejt e të zbrisje,

para teje malet do të dridheshin!


 nj63.9 ose: Në çdo fatkeqësi që kishin, hidhërohej edhe ai

 o63.19b të tjerë e rendisin si 64.1