Shpëtimi i popujve
1 Kështu thotë Zoti:
Mbajeni të drejtën,
zbatojeni drejtësinë,
se shpëtimi im po afron,
drejtësia ime po shfaqet.
2 Lum njeriu që vepron kështu
dhe biri i njeriut që i përmbahet kësaj,
që e mban të shtunën pa e përdhosur,
që i ruan duart nga çdo ligësi.
3 Biri i të ardhurit, që është bashkuar me Zotin,
të mos thotë:
«Zoti do të më ndajë patjetër nga populli i vet»
e as eunuku të mos thotë:
«Ja, unë jam një pemë e tharë».
4 Se kështu u thotë Zoti:
«Eunukëve që i mbajnë të shtunat e mia,
që zgjedhin të plotësojnë dëshirën time
e që ruajnë besëlidhjen time,
5 do t’u jap në shtëpinë time,
brenda mureve të mia,
një vend përkujtimi
dhe një emër më të mirë
se të kenë bij e bija.
Do t’u jap një emër të amshuar,
që s’do të shuhet kurrë.
6 Ndërsa bijtë e të ardhurve
që janë bashkuar me Zotin
e që i shërbejnë atij,
që e duan emrin e Zotit
e janë vënë në shërbim të tij,
të gjithë sa e mbajnë të shtunën pa e përdhosur
e që e ruajnë besëlidhjen time,
7 do t’i shpie në malin tim të shenjtë
e do t’u jap gëzim në shtëpinë time të lutjes.
Flitë e tyre të shkrumbimit e theroret e tyre
do të pranohen në altarin tim,
se shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjesh
për të gjithë popujt».
8 Kështu kumton Zoti, Zoti im,
ai që i mbledh të degdisurit e Izraelit:
përveç atyre që kam mbledhur,
do të mbledh edhe të tjerë përreth tyre.
9 Mbarë ju, o egërsirat e fushës,
ejani të hani,
të gjitha ju, o kafshët e pyllit!
10 Të gjithë rojtarët e tij janë verbuar,
të paditur janë të tërë.
Janë të gjithë qen të pagojë,
të paaftë për të lehur.
Shohin ëndrra, rrinë shtrirë,
u pëlqen të dremitin.
11 Janë qen grykës, që s’dinë të ngopen,
janë barinj, që s’kuptojnë asgjë.
Secili prej tyre endet udhës së vet,
secili synon përfitimin e vet.
12 «Ejani», thonë, «Të pimë verë,
të dendemi me pije të forta.
E nesërmja do të jetë si sot,
madje edhe më mirë».