Le të vijnë të eturit
1 O ju të gjithë që keni etje,
ejani tek uji!
Kushdo që s’ka para le të afrohet!
Blini drithë e hani!
Ejani e blini verë e qumësht
pa para e pa pagesë!
2 Pse i shpenzoni paratë për çka s’është bukë?
Përse mundoheni për gjëra që s’ngopin?
Dëgjomëni, pra, me kujdes mua
e do të hani çka është e mirë
dhe shpirti juaj do të kënaqet
me gjëra të shijshme.
3 Mbani vesh dhe ejani tek unë!
Dëgjoni e shpirti juaj do të jetojë!
Do të lidh me ju një besëlidhje të amshuar,
mirësinë e patundshme që i premtova Davidit.
4 Ja, atë e bëra dëshmitar për popujt,
prijës e udhëheqës për kombet.
5 Kështu, do të thërrasësh një komb që s’e njihje,
kombe, që s’të njihnin, do të vrapojnë te ti,
për shkak të Zotit, Perëndisë tënd,
të shenjtit të Izraelit, që të madhëroi.
6 Kërkojeni Zotin ndërsa mund të gjendet,
thirrini atij për sa kohë është afër.
7 Le të lërë i ligu udhën e tij,
i paudhi synimet e tij,
le të kthehet te Zoti, që ta mëshirojë,
te Perëndia ynë, që fal me gjithë zemër.
8 Se mendimet e mia nuk janë si tuajat,
as udhët e mia si udhët tuaja,
kumton Zoti.
9 Sa larg është qielli nga toka,
aq larg janë udhët e mia nga udhët tuaja,
mendimet e mia nga mendimet tuaja.
10 Sikurse shiu dhe dëbora zbresin prej qiellit
e më atje nuk kthehen,
por e ujitin dhe e zbrujnë tokën,
e bëjnë të jetë pjellore,
që t’i japë bujkut farën për të mbjellë
e bukën për të ngrënë,
11 ashtu edhe fjala ime, që del prej gojës sime,
s’do të kthehet pas tek unë e zbrazët,
pa ia dalë mbanë gjithçkaje që unë dua
e pa bërë atë për çka e dërgova.
12 Ju do të niseni me gëzim prej andej
e në paqe do të përcilleni.
Para jush malet e kodrat
do të shpërthejnë në britma gëzimi,
të gjitha pemët e fushave
do të trokasin duart.
13 Në vend të ferrave do të rritet qiparisi,
në vend të hithrave do të rritet mërsina.
Kjo do të jetë nder për Zotin,
shenjë e amshuar, që s’do të zhbihet.