Isaia 52

Çlirimi i Sionit prej robërisë

Zgjohu, zgjohu,

ngjishu me fuqi, o Sion,

vishi rrobat e tua më të bukura,

o Jerusalem, qyteti i shenjtë,

se te ti nuk do të vijë më kurrë

i parrethpreri e i papastri.

Shkunde pluhurin,

ngrihu, o Jerusalem i robëruar,

zgjidhi vargonjtë që ke në qafë,

o e robëruara bijë e Sionit.

Se kështu thotë Zoti:

Ju shitën për hiçgjë,

por pa para do të shpengoheni.

Se kështu thotë Zoti Perëndi:

populli im zbriti dikur në Egjipt për të jetuar.

Mandej erdhën asirianët dhe e shtypën pa shkak.

E tani ç’fitoj unë këtu, kumton Zoti,

kur popullin tim e rrëmbyen pa shkak?

Sunduesit e tij ngadhënjejnë, kumton Zoti,

dhe emri im shahet përherë tërë ditën.

Prandaj populli im do ta njohë emrin tim,

prandaj atë ditë do ta dijë se unë jam

ai që thoshte: «Ja ku jam!».

Sa të bukura janë mbi male

këmbët e lajmëtarit,

të atij që shpall lajmin e paqes,

që shpall shpëtimin e i thotë Sionit:

«Perëndia yt mbretëron!».

Rojtarët e tu po thërrasin,

po ngrenë tok zërin e po brohorasin,

se me sytë e tyre po shohin

Zotin që kthehet në Sion.

Shpërtheni së bashku në britma gëzimi,

o rrënojat e Jerusalemit,

se Zoti i jep ngushëllim popullit të tij,

Jerusalemin po e shpengon.

10 Se Zoti e zhveshi krahun e tij të shenjtë

në sytë e mbarë kombeve.

Mbarë skajet e tokës do ta shohin

shpëtimin e Perëndisë tonë.

11 Nisuni, nisuni, dilni prej andej,

mos prekni asgjë të papastër,

dilni prej Babilonisë e pastrohuni,

o ju që mbartni enët e Zotit.

12 Se nuk do të dilni me nxitim,

me ngut nuk do të ikni.

Para jush do të shkojë Zoti,

pas jush do të jetë Perëndia i Izraelit.

Vuajtjet e shërbëtorit të Zotit

13 Ja, shërbëtorit tim do t’i prijë e mbara,

do të nderohet, do të lartësohet, shumë do të madhërohet.

14 Të shumtë ata që u shtangën prej tij,

kur panë pamjen e njeriut të shfytyruar,

kaq ndryshe nga trajta e bijve të njeriut.

15 Kështu, ai do të mahnitëk shumë kombe

e mbretërit do të mbyllin gojën para tij,

sepse do të shohin çka nuk u ishte treguar,

do të kuptojnë çka nuk kishin dëgjuar.


 k52.15 ose: spërkatë