Përtëritja e Sionit
1 Le të gëzojë shkretëtira dhe toka e thatë,
le të ngazëllejë stepa e të lulëzojë si trëndafili.
2 Le të lulëzojë ngado,
të gëzojë e të ngazëllejë!
Do t’i jepet lavdia e Libanit,
madhështia e Karmelit dhe e Sharonit.
Lavdinë e Zotit do të shohin,
madhështinë e Perëndisë tonë.
3 Forcojini duart e stërmunduara,
jepuni forcë gjunjëve të këputura.
4 Thuajuni atyre që i ka lëshuar zemra:
«Jini të fortë e frikë mos kini!
Ja, Perëndia juaj po vjen të marrë hak!
Po mbërrin shpagimi i Perëndisë!
Ai po vjen për t’ju shpëtuar!».
5 Atëherë të verbërve do t’u çelen sytë,
të shurdhërve do t’u hapen veshët,
6 i çali do të kërcejë si dreri,
gjuha e shurdhmemecit do të brohorasë,
se në shkretëtirë do të gëlojnë ujërat,
përrenjtë do të vërshojnë në tokë të thatë.
7 Toka e shkrumbuar do të bëhet liqen,
vendi i thatë burim ujërash.
Në strofullin ku strukeshin çakejtë,
do të rritet kallami e xunkthi.
8 Atje do të ketë një udhë të gjerë,
një udhë që do të quhet «Udha e Shenjtë»
dhe i papastri nëpër të s’do të kalojë.
Do të jetë vetëm për ata që udhës së drejtë ecin,
dhe të marrët s’kalojnë dot nëpër të.
9 Luan atje s’do të ketë,
bishë grabitqare s’do të shkelë atje.
Jo, ato s’do të kalojnë nëpër të,
por do të kalojnë vetëm të shpenguarit.
10 Do të kthehen të shpëtuarit prej Zotit,
në Sion do të vijnë me britma gëzimi,
ngazëllimi i përhershëm do t’ua çelë fytyrën,
do t’i pushtojë hareja e ngazëllimi,
trishtimi e psherëtima larg do të degdisen.