Gjykimi i Edomit
1 Afrohuni, o kombe, e dëgjoni,
ju, o popuj, mbani vesh!
Le të dëgjojë toka e gjithçka në të,
bota e gjithçka që ajo prodhon!
2 Zemërimi i Zotit shfreu mbi gjithë kombet,
furia e tij mbi gjithë ushtritë e tyre,
shkatërrimin e tyre e ka vendosur,
i ka caktuar për shfarosje.
3 Të vrarët e tyre do të hidhen përtokë,
era e qelbur e kufomave do të përhapet,
malet do të qullen me gjakun e tyre.
4 Tërë ushtria e qiellit do të shfaroset,
qiejt si rrotulla do të mblidhen,
gjithë ushtria e tyre do të bjerë,
siç bien gjethet e hardhisë,
si gjethet e thara të fikut.
5 Vringëllon shpata ime në qiell,
e ja, përmbi Edomin do të bjerë,
mbi popullin që caktova për shfarosje,
gjykimin për të kryer.
6 Shpata e Zotit kullon gjak,
plot dhjamë është mëlmyer,
me gjak qengjash e kecash,
me dhjamë veshkash dashi,
se flija e Zotit po kushtohet në Bocrah,
kërdi e madhe në vendin e Edomit.
7 Bashkë me ta po theren buaj,
mëzetërit bashkë me demat,
me gjakun e tyre po dehet toka,
dheu i tyre po mëlmehet me dhjamë.
8 Se është dita e hakmarrjes së Zotit,
viti i shpagimit për hir të Sionit.
9 Përrenjtë e Edomit do të kthehen në katran,
dheu i tij do të bëhet squfur,
katran i ndezur toka e tij.
10 S’do të shuhet as ditën, as natën,
tymi përherë do të dalë prej tij,
i shkretë do të mbetet brez pas brezi,
kurrë më nëpër të s’do të kalojë kush.
11 Zotër të tij do të jenë huta e iriqi,
kukuvajka e korbi në të do të banojnë.
Mbi të Zoti do të shtrijë litarin e rrënimit,
bashkë me plumbçin e zbrazëtisë.
12 Fisnikë atje s’do të ketë më,
që mbretëri atë ta quajnë,
të gjithë princat do të jenë zhdukur.
13 Në fortesat e tij do të mbijnë ferra,
në kullat e tij hithra e driza,
strofull për çakejtë do të bëhet,
fole për këlyshët e strucit.
14 Macet e egra do të takohen me hienat,
dhitë e egra do të thërrasin njëra-tjetrën,
atje do të bëjnë fole egërsirat e natës,
aty do të gjejnë strehë.
15 Atje do të ngrejë folenë shigjetulla,
vezët e veta aty do t’i shtrojë,
do t’i çelë e do t’i rritë nën hijen e saj
e atje do të mblidhen bashkë hutat.
16 Kërkoni në librin e Zotit e lexoni:
«Asnjë prej atyre kafshëve s’do të mungojë,
asnjërës s’do t’i mungojë shoqja e vet.
E ka urdhëruar Zoti me gojën e vet,
vetë shpirti i tij i ka bashkuar.
17 Ai vetë hodhi short për to,
dora e tij e ndau tokën me matës.
Ato do ta trashëgojnë në amshim,
brez pas brezi në të do të banojnë».