Trazirë në Jerusalem
1 Ja! Zoti, Zoti i ushtrive
po heq prej Jerusalemit e prej Judës
çdo përkrahje e çdo mbështetje,
çdo ndihmë me bukë
e çdo ndihmë me ujë,
2 trimin e luftëtarin,
gjyqtarin e profetin,
shortarin e plakun,
3 kreun e njësisë pesëdhjetëshe,
bashkë me fisnikun,
këshilltarin dhe magjistarin e aftë,
yshtësin plot mjeshtëri.
4 Do t’u vë djelmosha si prijës,
foshnjat do të sundojnë mbi ta.
5 Njëri-tjetrin do ta shkelin me këmbë,
i afërti do të shtypë të afërtin,
i riu do të sillet keq me plakun
dhe i pandershmi me të ndershmin.
6 Do të rrëmbejë vëllai vëllanë,
brenda në shtëpinë e të atit.
«Ja, ku e ke gunën», do t’i thotë. «Prina,
kjo rrënojë është tani në dorën tënde».
7 Atë ditë do të ngrejë zërin e do të thotë:
«S’kam për t’u bërë mjeku i plagëve,
në shtëpi nuk ka as bukë e as gunë,
mos më caktoni prijës të popullit».
8 Jerusalemi po rrënohet, Juda po bie,
gjuha e veprat e tyre janë kundër Zotit,
i kundërvihen sy më sy të Lavdishmit.
9 Vetë pamja e fytyrës
dëshmon kundër tyre,
mëkatin e vet si Sodoma e shpallin
e nuk e fshehin.
Mjerë shpirti i tyre,
se vetes i kanë bërë keq!
10 I thoni të drejtit se është i lum,
se do të hajë frytin e veprave të veta.
11 Mjerë i paudhi, fatkeqësitë do ta godasin,
do ta gjejnë ato që ka bërë me duart e veta.
12 Shtypësit e popullit tim janë fëmijë,
gratë sundojnë mbi të.
O populli im, udhëheqësit e tu po të mashtrojnë
e drejtimin e udhës po ta ngatërrojnë.
13 Në këmbë u ngrit Zoti për të bërë padi,
në këmbë po rri për të gjykuar popujt.
14 Po vjen Zoti për të bërë gjyq
me pleqtë e popullit e prijësit e tij:
Jeni ju që e shkatërruat vreshtin,
në shtëpitë tuaja i keni plaçkat
që u rrëmbyet të varfërve.
15 Me ç’të drejtë e shtypni popullin tim
dhe dërrmoni fytyrën e të varfërve?
Kumton Zoti, Zoti i ushtrive!
16 E Zoti tha: krenohen bijat e Sionit,
ecin me qafën zgjatur e me vështrime joshëse,
ecin me hapa të vegjël lozonjarë,
unazat nëpër këmbë u tringëllojnë.
17 Por Zoti do t’ua bëjë kokën qerose,
Zoti do t’ua lërë ballin zbuluar.
18 Atë ditë Zoti do t’ua heqë stolitë e kyçeve të këmbës, fjongot e kokës e varëset gjysmëhënëshe, 19 vathët, byzylykët e vellot, 20 kësulat, gjerdanët e këmbës, brezat, enët e aromave e hajmalitë, 21 unazat e stolitë e hundës, 22 rrobat festive, mbulojat, shajet e çantëzat, 23 pasqyrat, këmishëzat, shamitë e kokës e xhubletat. 24 Atëherë, në vend të erës së mirë do të ketë kalbësi, në vend të brezit, litar, në vend të kaçurrelave, shogë, në vend të rrobës festive, grathore, në vend të hijeshisë, shëmti.
Të vejat e Jerusalemit
25 Burrat e tu do të bien nga shpata,
trimat e tu në betejë.
26 Gjëmë e vaj do të ketë në portat e tua,
i shkretuar do të ulesh përdhe.