Paralajmërim kundër Samarisë
1 Mjerë kurora e lavdishme
e të dehurve të Efraimit,
lulja e vyshkur
e bukurisë së tij madhështore,
që rri mbi kryet e luginës pjellore,
të marrë mendsh prej verës.
2 Ja, Zoti ka një njeri të fortë e të fuqishëm,
si stuhia e breshrit, si furtuna shkatërruese,
si vërshimi i ujit të furishëm e rrëmbyes,
me një dorë mbi tokë e përplas.
3 Me këmbë do të shkelmohet
kurora e lavdishme e të dehurve të Efraimit.
4 Lulja e vyshkur e bukurisë së tij madhështore,
që rri mbi kryet e luginës pjellore,
do të jetë porsi fiku i pjekur para vere,
që e sheh dikush, e këput me dorë
dhe e përlan.
5 Atë ditë Zoti i ushtrive do të jetë kurora e lavdisë,
ai do të jetë diadema plot shkëlqim
për tepricën e popullit të tij.
6 Do të jetë shpirti i drejtësisë për gjykatësin,
fuqia e atyre që e sprapsin sulmin te porta.
7 Por, edhe këta janë trullosur prej verës,
prej pijes dehëse u merren këmbët.
Prifti e profeti janë trullosur prej pijes dehëse,
janë çoroditur prej verës.
Janë të trullosur prej pijes së fortë,
të përhumbur në vegime, të lëkundur në gjykime.
8 Gjithë tryezat e tyre janë plot
me të vjella e ndyrësi;
vend më në to nuk ka.
9 «Por kujt do t’ia mësonte urtinë?», pyesin.
«Kujt do t’ia shtjellonte lajmin?
Atyre që sapo janë zvjerdhur,
atyre që sapo u është hequr gjiri?
10 Se paska urdhër pas urdhri,
urdhër pas urdhri,
e rregull pas rregulli,
rregull pas rregulli,
pak këtu e pak atje».
11 Me buzë që belbëzojnë
e me gjuhë të huaj
këtij populli do t’i flasë.
12 Ai vetë u kishte thënë:
«Ja ku do të gjeni prehje!
Vërini të lodhurit këtu të prehen,
këtu do të gjeni prehje».
Por ata s’deshën të dëgjonin.
13 Por për ta fjala e Zotit ishte
urdhër pas urdhri,
urdhër pas urdhri,
e rregull pas rregulli,
rregull pas rregulli,
pak këtu e pak atje,
që të shkonin e të binin përmbys,
që të bëheshin copë e çikë,
t’i zinte laku e të kapeshin.
14 Prandaj dëgjojeni fjalën e Zotit, o njerëz shpotitës,
ju, që mbi popullin tim sundoni në Jerusalem.
15 «Kemi bërë besëlidhje me vdekjen», thoni,
«Me skëterrën kemi bërë marrëveshje,
që kur të vijë përmbytja e madhe,
të mos na prekë aspak,
se për strehë kemi gënjeshtrën,
mashtrimin, vendstrehim».
16 Prandaj kështu thotë Zoti Perëndi:
Ja, në Sion do të vë një gur,
gur të sprovuar, gur qosheje,
gur të çmuar, gur themeli.
E kush të besojë në të,
nuk ka pse ngutet.
17 Të drejtën do ta bëj matës,
drejtësinë plumbç.
Por strehën e gënjeshtrës do ta rrënojë breshri,
vendstrehimin do ta përmbytin ujërat.
18 Besëlidhja juaj me vdekjen do të zhvlerësohet,
marrëveshja juaj me skëterrën s’do të qëndrojë.
Kur të kalojë rrebeshi përmbytës,
keni për t’u shkelur prej tij.
19 Sa të kalojë,
para do t’ju marrë,
do të kalojë çdo mëngjes,
do të kalojë ditë e natë.
Vetëm tmerri do ta përhapë lajmin.
20 Tepër i shkurtër do të jetë shtrati
për t’u shtrirë,
tepër e ngushtë mbulesa
për t’u mbuluar.
21 Zoti do të ngrihet si në malin e Peracimit,
zemërimi i tij do të ndizet si në luginën e Gibeonit,
për të kryer veprën e tij, veprën e tij të padëgjuar,
për të bërë punën e tij, punën e tij të pazakontë.
22 E tani reshtni së përqeshuri,
që të mos ua shtrëngojnë më fort prangat,
se kam dëgjuar prej Zotit, Zotit të ushtrive,
urdhrin e shkatërrimit të mbarë vendit.
23 Mbani vesh e dëgjojeni zërin tim,
dëgjojeni me kujdes fjalën time.
24 A lëron çdo ditë bujku për të mbjellë?
A e plugon dhe e prashit çdo ditë arën?
25 Pasi ia rrafshon sipërfaqen,
a nuk mbjell ai kopër,
a nuk hedh farën e kuminit?
A nuk e mbjell nëpër vija
farën e grurit e të elbit,
thekrën anëve të arës?
26 Perëndia e udhëzon atë,
ai ia mëson udhën e drejtë.
27 Kopra nuk shihet me shirëse,
kumini nuk shtypet me rrotë qerreje,
por kopra rrihet me thupër
e kumini me shkop.
28 Gruri bluhet, por jo tërë kohën,
edhe pse e shijnë mirë e mirë.
Kalon mbi të rrota e qerres,
por thundra e kalit s’e thërrmon.
29 Edhe kjo vjen prej Zotit të ushtrive,
që jep këshilla të mrekullueshme,
që ka dije madhështore.