Kënga e të çliruarve
1 Atë ditë në tokën e Judës
kjo këngë do të këndohet:
qytetin e kemi të fortë,
të ndërtuar për shpëtimin tonë,
me mure e me bedena.
2 Hapini dyert,
që të hyjë kombi i drejtë,
kombi që qëndron besnik.
3 Synimet e tij nuk luhaten
dhe ti e mban në paqe,
e mban në paqe,
se ka shpresuar te ti.
4 Kini përherë shpresë te Zoti,
se Zoti, Zoti
është shkëmbi i amshuar.
5 Ai i përuli ata që rrinin lart,
qytezën që ndodhej në lartësi e rrëzoi,
e plandosi përtokë, në pluhur e hodhi.
6 E shkelin me këmbë,
e shkelmojnë këmbët e skamnorëve,
e shtypin hapat e të varfërve.
7 Udha e të drejtit është e sheshtë;
ti ia sheshon udhën të drejtit, o i drejtë!
8 Kemi pritur udhën e gjykimeve të tua, o Zot,
shpirti ynë ka dëshiruar emrin e kujtimin tënd!
9 Të dëshiron shpirti im natën,
fryma ime përbrenda të kërkon.
Kur të zbatohen gjykimet e tua në tokë,
banorët e botës do të mësojnë drejtësinë.
10 Po t’i jepet mëshirë të paudhit,
drejtësinë s’ka për ta mësuar,
në një vend të ndershëm
të keqen do të bëjë,
madhështinë e Zotit
s’ka për ta parë.
11 Dora jote është ngritur, o Zot,
por ata s’e shohin.
Do të shohin zellin tënd për popullit tënd
e do të turpërohen,
zjarri i armiqve të tu
ka për t’i përpirë.
12 O Zot, ti do të na japësh paqen,
se çdo vepër tonën, ti e ke kryer.
13 O Zot, Perëndia ynë,
të tjerë sundues, e jo ti, na kanë sunduar,
por ne kujtojmë vetëm emrin tënd.
14 Të vdekurit nuk do të jetojnë më,
hijet më nuk do të ngrihen,
prandaj ti i ndëshkove e i zhbive,
kujtimin e tyre e shkatërrove.
15 E ke shtuar kombin, o Zot,
kombin e ke shtuar;
u bëre i lavdishëm,
tërë kufijtë e vendit i zgjerove.
16 Ty, o Zot, të kërkuan në fatkeqësi,
ty t’u përgjëruan, kur i ndëshkoje.
17 Si shtatzëna, kur i vjen koha për të lindur,
kur përpëlitet e bërtet nga dhimbjet,
ashtu kemi qenë para teje, o Zot.
18 Ishim ngjizur, kishim dhimbje,
si të ishim gati për të lindur,
por pollëm erë, tokës shpëtim s’i sollëm
e as banorë të tjerë botës nuk i lindëm.
19 Por të vdekurit e tu do të jetojnë sërish,
kufomat do të ringjallen.
Ngrihuni e brohoritni,
o ju që dergjeni në pluhur!
Se vesa jote është vesë drite
dhe tokën e hijeve ti e sjell në jetë.
20 Përpara, o populli im,
hyr në dhomat e tua!
Mbylle derën pas teje
e fshihu për pak kohë,
sa të kalojë zemërimi.
21 Se, ja, Zoti po del prej banesës,
për të ndëshkuar paudhësinë
që bënë kundër tij banorët e tokës.
Do ta nxjerrë në shesh toka gjakun e derdhur
e më s’do t’i fshehë të vrarët e saj.