Profeci kundër Damaskut e Samarisë
1 Profeci për Damaskun.
Damasku s’do të jetë më qytet,
grumbull rrënojash do të bëhet.
2 Qytezat e Aroerit do të braktisen,
do të kthehen në kullotë për bagëtitë,
aty do të shtrihen tufat
e askush s’do t’i trazojë.
3 Efraimi do të humbasë fortesat,
Damasku mbretërinë.
Teprica e Aramit
si lavdia e Izraelit do të jetë,
kumton Zoti i ushtrive.
4 Atë ditë lavdia e Jakobit do të mpaket,
dhjami i trupit do t’i tretet.
5 Do të ndodhë si me korrësin
që me një dorë korr grurin
e me tjetrën mbledh kallinjtë.
Do të ndodhë ashtu siç mblidhen kallëzat
në luginën e Refaimit.
6 Do të mbesë ndonjë kallëz në të,
sikurse shkundet pema e ullirit,
që mbesin dy a tre kokrra në majë,
katër a pesë në degët e saj,
kumton Zoti, Perëndia i Izraelit.
7 Atë ditë njeriu do të shikojë nga krijuesi i vet,
sytë e tij do të vështrojnë të shenjtin e Izraelit.
8 Nuk do t’i drejtojë më sytë nga altarët
që punoi me duart e me gishtat e vet,
nuk do të vështrojë më shtyllat e Asherave
apo altarët ku digjet temjani.
9 Atë ditë qytetet e tua të fortifikuara,
do të kthehen në vende të shkreta,
siç i braktisën hivitët e amoritët
për shkak të izraelitëvedh.
Do të mbetet veç shkretim!
10 Se e harrove Perëndinë, shpëtimtarin tënd,
shkëmbin e strehimit tënd nuk e kujtove.
Prandaj edhe ke mbjellë pemë të këndshme,
ke shartuar me fidanë të huaj.
11 Ditën që i mbjell, i sheh të rriten,
në mëngjes fara që hodhe lulëzon,
por korrja shuhet në ditë të ligë,
prej plagës së pashërueshme.
12 Mjerë! Ja, uturimë popujsh të shumtë;
ushtojnë siç ushtojnë detet.
Ja, ulërima e kombeve;
ulërijnë si oshtima e ujërave të shumtë.
13 Do të gjëmojnë kombet,
ashtu siç buçasin ujërat e shumtë,
por sapo t’i kërcënojë Zoti,
do të marrin arratinë, do të ikin larg,
të dëbuar si kashta kur e merr era maleve,
si pluhuri në vorbullën e stuhishme.
14 Aty nga mbrëmja, u ka hyrë tmerri!
Para agimit, nuk janë më!
Ky është fundi i atyre që na plaçkitën,
ky është fati i atyre që na bastisën.
dh17.9 ose: si një vend i shkretë në mes të pyllit apo në maja kodrash që i lanë për shkak të bijve të Izraelit