Shkatërrimi i Moabit
1 Profeci për Moabin:
natën u rrënua Ar Moabi,
krejt u shkatërrua;
natën u rrënua Kir Moabi,
krejt u shkatërrua!
2 Shkuan në tempull për të qarë,
Diboni u ngjit te faltorja në vend të lartë,
për Nebonë e për Medebën vajton Moabi,
të gjitha kokat janë rruar,
të gjitha mjekrat janë prerë.
3 Nëpër udhët e tij janë veshur me grathore,
nëpër pullazet e nëpër sheshet e tij
të gjithë kanë filluar kujën,
të gjithë po shkrihen në vaj.
4 Heshboni dhe Elealehu po vënë gjëmën,
vajtimi i tyre dëgjohet deri në Jahac,
prandaj këlthasin luftëtarët e Moabit,
u dridhet shpirti nga frika.
5 Zemra ime vajton për Moabin,
të ikurit e tij kanë mbërritur deri në Coar
deri në Eglat Shlishijah,
përpjetës së Luhitit ngjiten e vajtojnë,
rrugës së Horonaimit kujë therëse lëshojnë.
6 Ja, ujërat e Nimrimit shterën,
bimësia u tha, bari u zhbi,
gjelbërim nuk ka më.
7 Prandaj, pasuritë e të mirat që mblodhën
po i mbartin përtej përroit të Shelgjeve.
8 U përhap britma në viset e Moabit,
vajtimi i tij deri në Eglaim,
gjëma e tij deri në Ber Elim.
9 Ujërat e Dimonit janë mbushur me gjak.
Por do t’ia shtoj të këqijat Dimonit:
një luan për të ikurit e Moabit
për ata që do të kenë mbetur në vend.