Çlirimi i Izraelit
1 Por Zoti do të ketë dhembshuri për Jakobin e do ta zgjedhë përsëri Izraelin dhe në tokën e tyre sërish do t’i vendosë. Me ta do të bashkohen edhe të huajt e do të lidhen me shtëpinë e Jakobit. 2 Popuj të tjerë do t’i marrin izraelitët e do t’i çojnë në vendin e tyre. Atëherë shtëpia e Izraelit do t’i marrë si trashëgimi në tokën e Zotit e do t’i bëjë shërbëtorë e shërbëtore për vete. Ata që i patën robëruar do të bëhen robërit e tyre dhe izraelitët do të sundojnë mbi ata që dikur i sundonin. 3 Kur Zoti të të ketë çliruar prej vuajtjes, prej mjerimit e prej skllavërisë së rëndë, nën zgjedhën e së cilës ishe, 4 do të thuash këtë fjalë shpotitëse kundër mbretit të Babilonisë:
Si mbaroi kështu tirani?
Si mori fund shtypja?
5 Zoti e theu shkopin e të paudhëve,
skeptrin e tiranëve e copëtoi,
6 që i godiste popujt me furi,
që i gjuante pa pushim,
që me zemërim i nënshtronte kombet,
që i përndiqte pa mëshirë.
7 E qetë prehet toka mbarë,
brohorasin kudo me gëzim.
8 Për ty gëzojnë edhe bredhat,
gëzojnë cedrat e Libanit:
«Që atëherë kur u shove ti,
s’erdhi më kush për të na prerë!».
9 Edhe skëterra poshtë për ty u vu në lëvizje,
ardhjen tënde duke pritur,
për ty i ngriti hijet e të vdekurve,
të gjithë ata që dikur sundonin tokën,
prej froneve të tyre i bëri të ngrihen
gjithë mbretërit e kombeve.
10 Të gjithë do të marrin fjalën.
«U këpute edhe ti si ne», do të thonë,
«Edhe ti u bëre njëlloj si ne».
11 Në skëterrë u plandos madhëria jote,
bashkë me tingëllimën e harpave të tua,
krimbat do të kesh tani për shtrojë,
vemjet për mbulesë.
12 Po si re prej qiellit, o dritësjellës,
ti, o biri i agimit?
U përplase përdhe edhe ti,
ti që mbi kombet ngadhënjeje.
13 Në zemër ti thoshe: «Në qiell kam për t’u ngjitur,
fronin mbi yjet e Perëndisë do ta ngre.
Do të ulem mbi malin e tubimit,
atje në skaj të veriut.
14 Do të ngjitem përsipër reve,
do të bëhem si i Tejlarti».
15 Por, ja që je plandosur në skëterrë,
në skajin më të thellë të gropës.
16 Kush të sheh, sytë t’i ngul,
me vëmendje të vështron:
«A nuk është ky ai që trandte tokën,
që i bënte mbretëritë të dridheshin?
17 Ai që botën shkretëtirë e bëri,
që qytetet ia rrafshoi
e të burgosurit kurrë nuk i liroi?».
18 Tërë mbretërit e kombeve,
të gjithë prehen me lavdi,
secili në varrin e vet.
19 Por ty të kanë flakur jashtë varrit,
si atë degën e kalbur,
i mbështjellë me të therurit,
me të shpuarit nga shpata,
të hedhur mbi pllakat e varrit,
si kufomë shkelur me këmbë.
20 Ti nuk do të varrosesh si ata,
se vendin tënd e ke shkretuar,
e popullin tënd e ke shfarosur.
Fara e keqbërësve
nuk do të përmendet më kurrë.
21 Bëni gati shfarosjen për bijtë e tij,
për paudhësinë e etërve të tyre,
që të mos ngrihen më për të zotëruar tokën,
që të mos mbushin më faqen e dheut.
22 Do të ngrihem kundër tyre, kumton Zoti i ushtrive,
Babilonisë do t’ia shfaros emrin,
bashkë me ç’t’i ketë mbetur, me farë e me fis,
kumton Zoti,
23 do ta bëj fole iriqësh,
do ta kthej në moçal.
Do ta fshij me fshesë shkatërrimi,
kumton Zoti i ushtrive.
24 Zoti i ushtrive është betuar:
përnjëmend, siç e mendova,
ashtu do të ndodhë,
siç e shestova, ashtu do të jetë.
25 Do ta mposht Asirinë në tokën time,
në malet e mia do ta shkel me këmbë.
Zgjedha e saj do të hiqet prej tyre,
barra e saj do t’u bjerë prej shpatullave.
26 Ky është vendimi i marrë kundër mbarë tokës,
ky është krahu i shtrirë mbi mbarë kombet!
27 Sepse kështu vendosi Zoti i ushtrive,
kush mund të kundërshtojë?
Krahu i tij është shtrirë tashmë,
kush mund t’ia kthejë pas?
Profeci kundër filistinëve
28 Vitin që vdiq mbreti Ahaz, u bë kjo profeci:
29 mos u gëzo ti, o Filiste e tërë,
se u thye shkopi që të rrihte.
Nga rrënja e gjarprit do të dalë nepërka
e pjella e tij do të jetë dragua fluturues.
30 Të parëlindurit e skamnorëve do të kenë ç’të hanë
e të varfrit do të pushojnë në qetësi.
Me uri do ta zhbij rrënjën tënde
e ç’të ketë mbetur prej teje do të vritet.
31 Vajto, o portë! Jepja gjëmës, o qytet!
Dridhu ti, o Filiste e tërë,
se po vjen tymi nga veriu
e nga radhët e tij s’ikën kush.
32 E ç’përgjigje do t’u japin
lajmëtarëve të kombeve?
«Sionin e ka themeluar Zoti.
Në të do të gjejnë strehim
të mjerët e popullit të tij».