Hebrenjve 7

Melkisedeku

Ky Melkisedeku ishte mbret i Salemit dhe prift i të tejlartit Perëndi. Kur Abrahami po kthehej nga beteja, ku shfarosi mbretërit, Melkisedeku e takoi dhe e bekoi. Abrahami i dha atij një të dhjetën e gjithçkaje.

Emri Melkisedek do të thotë së pari «mbret i drejtësisë». Ai ishte edhe mbret i Salemit, që do të thotë «mbret i paqes». Nuk ia njohim as të atin, as nënën e as paraardhësit. Nuk dimë gjë as për lindjen e as për vdekjen e tijc. I ngjashëm me Birin e Perëndisë, ai mbetet prift në amshim.

Pa mendohuni sa i madh ishte ky njeri, të cilit patriarku Abraham i dha të dhjetën e gjithçkaje që kishte plaçkitur. Ata që e kanë marrë priftërinë si pasardhës të Levit, kanë urdhër që, sipas ligjit, të marrin të dhjetën e gjithçkaje nga populli, domethënë nga vëllezërit e tyre, pavarësisht se edhe ata kanë dalë prej farës së Abrahamit. Melkisedeku, ndonëse nuk rridhte nga fisi i Levit, mori të dhjetën nga Abrahami dhe e bekoi atë që kishte marrë premtimin e Perëndisë. Dhe pa dyshim, më i vogli bekohet nga më i madhi.

Levitët që marrin të dhjetën janë njerëz të vdekshëm, ndërsa për Melkisedekun dëshmohet se jeton. Mund të thoshim se edhe Levi, i cili merr të dhjetën nga të tjerët, nëpërmjet Abrahamit i dha Melkisedekut të dhjetën, 10 sepse ai ishte ende në trupin e atit të tij, Abrahamit, kur ky u takua me Melkisedekun.

11 Nëse do të arrinim në përsosje nëpërmjet priftërisë levitike, të cilën populli e kishte marrë nga ligji i Moisiut, ç’nevojë kishte të dilte një priftëri tjetër sipas urdhrit të Melkisedekut e jo sipas urdhrit të Aronit? 12 Kur ndryshohet priftëria, domosdo bëhet edhe ndryshimi i ligjit.

13 Zoti ynë, për të cilin bëhet fjalë, i përkiste një fisi tjetër, nga i cili askush nuk i kishte shërbyer ndonjëherë altarit. 14 Dihet se ai ishte nga fisi i Judës, fis për të cilin Moisiu nuk tha asgjë kur foli për priftërinë. 15 Kjo bëhet edhe më e qartë kur del një prift tjetër i ngjashëm me Melkisedekun, 16 i cili nuk u bë prift sipas rregullave njerëzore, por sipas fuqisë së jetës që s’ka fund. 17 Sepse dëshmohet se

ti je prift në amshim

sipas urdhrit të Melkisedekut.

18 Urdhërimi i mëparshëm bie poshtë, ngaqë ishte i dobët e i padobishëm. 19 Ligji nuk bëri të përsosur askënd, por na dha një shpresë më të madhe, me të cilën i afrohemi Perëndisë.

20 Jezui nuk u bë prift pa betim, ndërsa të tjerët u bënë pa betim. 21 Jezui u bë prift me betimin e Perëndisë që i tha:

Zoti u betua

e nuk do të pendohet.

Ti je prift në amshimç.

22 Prandaj Jezui u bë dorëzani i një besëlidhjeje më të mirë. 23 Priftërinjtë e tjerë ishin të shumtë, pasi nuk i lejonte vdekja të mbeteshin priftërinj përjetë, 24 ndërsa Jezui, ngaqë jeton në amshim, ka priftëri të patjetërsueshme. 25 Prandaj ai mund t’i shpëtojë plotësisht ata që i afrohen Perëndisë nëpërmjet tij, sepse ai jeton përjetësisht për të ndërmjetësuar për ta.

26 I tillë kryeprift na duhej: i shenjtë, i pafajshëm, i panjollosur, i ndarë veç nga mëkatarët dhe i ngritur më lart se qiejt. 27 Ai nuk ka nevojë çdo ditë për flijime si kryepriftërinjtë e tjerë, të cilët ofrojnë në fillim flijim për mëkatet e veta e pastaj për ato të popullit. Këtë ai e bëri një herë e përgjithmonë kur ofroi veten si flijim. 28 Ligji vendos si kryepriftërinj njerëz me dobësi, ndërsa fjala e betimit, që vjen pas këtij ligji, vendos Birin, i cili është i përsosur në amshim.


 c7.3 ose: Pa atë, pa nënë, pa gjenealogji, pa pasur as fillim ditësh e as fund jete

 ç7.21 dorëshk. të tjera edhe: sipas urdhrit të Melkisedekut