1 Lutja vajtuese e profetit Habakuk.
Lutja e profetit
2 «O Zot, dëgjova ç’thuhet për ty,
bëmat e tua më tmerrojnë, o Zot.
Përtëriji ato në vitet tona,
në vitet tona bëji të ditura.
Kur të zemërohesh,
mëshirën kujto.
3 Perëndia vjen prej Temanit,
i Shenjti prej malit Paran. selah
Madhështia e tij mbulon qiejt,
lavdia e tij mbush tokën.
4 Porsi drita shkëlqen,
rreze duart e tij lëshojnë
e atje fshihet fuqia e tij.
5 Murtaja i paraprin,
lëngata ndjek hapat e tij.
6 Ai qëndron e toka trandet,
hedh vështrimin e kombet dridhen,
malet e moçme treten,
kodrat e përjetshme përulen,
udhët e amshuara janë të tij.
7 Tendat e Kushanit i pashë në mjerim,
pëlhurat e tendave të Midianit fërfërijnë.
8 A u zemërove, o Zot, me lumenjtë?
A me lumenjtë u ndez tërbimi yt?
A me detin u hidhërove,
që po kalëron mbi kuaj,
mbi karrocat ngadhënjyese?
9 E zhvesh harkun, e bën gati,
shigjetat i ngjesh në kukurë. selah
Me lumenj e ndan tokën.
10 Malet të shohin e përpëliten,
shtrëngata shpërthen,
humnera lëshon britmën
e lart duart i ngre.
11 Shtangen dielli e hëna në qiell
prej dritës së shigjetave të tua fluturuese,
prej shkëlqimit të heshtës tënde flakëruese.
12 Marshon mbi tokë plot furi,
kombet i shtyp i zemëruar.
13 Del, që popullin tënd të shpëtosh,
të shpëtosh të vajosurin tënd.
Kryet e shtëpisë ia shembe të mbrapshtit,
e zhveshe nga themeli deri në majë. selah
14 Me heshtën e vet e shpove kreun e ushtarëve
që furishëm mësynë për të më degdisur
e që thërrasin si të babëzitur,
për të përpirë të mjerin që fshihet.
15 E shkele detin me kuajt e tu
dhe deti i madh shkumëzon.
16 E dëgjova e barku m’u trazua,
buzët m’u drodhën prej zërit,
kalbësira m’i kaploi eshtrat
e këmbët zunë të më dridhen.
Por, i qetë do të pres për fatkeqësinë
që do ta zërë popullin që po na sulmon.
Përfundimi
17 Ndonëse fiku nuk do të lulëzojë,
hardhia fryt nuk do të japë,
mundi i ullirit do të zhbëhet,
arat nuk do të prodhojnë ushqim,
dhentë do të mungojnë nëpër vatha,
e stallat nuk do të kenë qe,
18 unë Zotit do t’i ngazëllehem,
do të gëzohem me Perëndinë, shpëtimtarin tim.
19 Zoti, Zoti im, është fuqia ime,
m’i bën këmbët si të drerit,
në vende të larta më bën të eci».
Mjeshtrit të korit. Për vegla me korda.