Kombet që mbetën
1 Këto janë kombet që la Zoti për të vënë në provë Izraelin dhe të gjithë izraelitët, të cilët nuk i kishin përjetuar luftrat e Kanaanit, 2 vetëm me qëllimin që të mësonin të luftonin breznitë e izraelitëve, që nuk e kishin provuar më parë luftën: 3 pesë sunduesit e filistinëve, gjithë kananitët, sidonasit dhe hivitët, që banonin në malin e Libanit, nga mali i Baal Hermonit deri në Lebo Hamat. 4 Ishin lënë që të vinin në provë Izraelin, për të parë nëse do t’u bindeshin urdhërimeve që Zoti u kishte dhënë etërve të tyre përmes Moisiut. 5 Kështu, izraelitët jetuan mes kananitëve, hititëve, amoritëve, perizitëve, hivitëve dhe jebusitëve. 6 Izraelitët morën për gra bijat e tyre, u dhanë për gra bijat e veta dhe u shërbyen perëndive të tyre.
Otnieli
7 Izraelitët bënë ligësi në sytë e Zotit dhe e harruan Zotin, Perëndinë e tyre. Ata u shërbyen Baalëve dhe shtyllave të Asherasë. 8 Atëherë zemërimi i Zotit u ndez kundër tyre dhe ai i dorëzoi te Kushan Rishtaimit, mbreti i Aram Naharaimit. Izraelitët i shërbyen Kushan Rishtaimit për tetë vjet. 9 Izraelitët thirrën në ndihmë Zotin dhe ai u dërgoi si shpëtimtar Otnielin, birin e Kenazit, vëllanë e vogël të Kalebit. 10 Shpirti i Zotit ishte me të dhe ai u bë gjyqtar i Izraelit. Otnieli doli për të luftuar dhe Zoti i dorëzoi Kushan Rishtaimin, mbretin e Aramit. Otnieli ngadhënjeu mbi Kushan Rishtaimin. 11 Vendi pati paqe për dyzet vjet. Pastaj Otnieli, biri i Kenazit, vdiq.
Ehudi
12 Izraelitët filluan sërish të bënin ligësi në sytë e Zotit, prandaj dhe Zoti i dha forcë Eglonit, mbretit të Moabit, që t’i kundërvihej Izraelit, për shkak të ligësisë që kishte bërë në sytë e Zotit. 13 Egloni mblodhi rreth vetes pasardhësit e Amonit dhe të Amalekut, sulmoi Izraelin, e mposhti dhe pushtoi qytetin e Palmave. 14 Izraelitët i shërbyen Eglonit, mbretit të Moabit, për tetëmbëdhjetë vjet.
15 Atëherë izraelitët thirrën në ndihmë Zotin dhe Zoti u dërgoi si shpëtimtar Ehudin, birin e Gerait, nga fisi i Benjaminit, që ishte mëngjarash. Izraelitët e dërguan t’i çonte tagrat Eglonit, mbretit të Moabit. 16 Ehudi bëri një shpatë me dy tehe, rreth gjysmë metri të gjatë, dhe e ngjeshi në ijën e djathtë nën rroba. 17 Ehudi shkoi t’i japë tagrat Eglonit, mbretit të Moabit. Egloni ishte shumë i shëndoshë. 18 Pasi i dhanë tagrat, Ehudi urdhëroi të largoheshin ata që kishin mbajtur tagrat. 19 Kur mbërritën tek idhujt në Gilgal, Ehudi u kthye e i tha Eglonit: «Kam diçka për të të thënë në vesh, o mbret!». Mbreti dha urdhër që të mbahej qetësi dhe të gjithë ata që e shoqëronin dolën jashtë. 20 Ehudi iu afrua mbretit, që rrinte ulur i vetëm në dhomën e sipërme e të freskët, e i tha: «Kam për të të thënë një fjalë nga Perëndia». Mbreti u ngrit nga froni. 21 Atëherë Ehudi shtriu dorën e majtë, nxori shpatën nga ija e djathtë dhe ia nguli mbretit në bark. 22 Shpata u fut me gjithë dorëz, derisa e mbuloi dhjami. Ehudi nuk e tërhoqi shpatën nga barku i mbretit dhe mbretit i dolën zorrëta. 23 Ehudi mbylli derën e dhomës së sipërme nga pas dhe i vuri shulin. Pastaj doli nga portiku.
24 Pasi doli Ehudi, erdhën shërbëtorët e mbretit dhe panë se dyert e dhomës ishin të mbyllura me shul. Ata thanë: «Me siguri do të jetë duke kryer nevojat vetjake në dhomën e freskët». 25 Pritën gjatë, por mbreti nuk po e hapte derën e dhomës së sipërme. Atëherë morën çelësin, hapën derën dhe panë zotërinë e tyre të shtrirë përtokë e të vdekur.
26 Ndërsa ata prisnin, Ehudi kishte ikur. Ai kaloi vendin e idhujve dhe arriti në Sejrah. 27 Me të mbërritur, i ra bririt të dashit në malin e Efraimit. Atëherë izraelitët zbritën nga mali bashkë me të e ai u printe. 28 Ehudi u tha izraelitëve: «Ejani pas meje, sepse Zoti jua dorëzoi juve moabitët, armiqtë tuaj». Ata zbritën me të, zunë vaun e Jordanit, që të çon në Moab, dhe nuk lanë askënd të kalonte. 29 Asokohe vranë rreth dhjetë mijë moabitë, të gjithë burra të fortë e trima. Asnjëri prej tyre nuk shpëtoi. 30 Atë ditë Moabi iu nënshtrua Izraelit dhe vendi pati paqe për tetëdhjetë vjet.
Shamgari
31 Pas Ehudit erdhi Shamgari, biri i Anatit. Ai vrau gjashtëqind burra filistinë me një hosten qesh dhe e shpëtoi Izraelin.