Mikahu dhe faltorja e tij
1 Në malësinë e Efraimit jetonte një njeri, që quhej Mikah. 2 Ai i tha së ëmës: «Një mijë e njëqind monedhat e argjendit, që t’i kishin vjedhur dhe për të cilat mallkove, siç e dëgjova vetë, ja ku janë, i kisha unë. T’i kisha marrë unë». E ëma i tha: «Zoti të bekoftë, biri im!». 3 Mikahu ia ktheu një mijë e njëqind monedhat e argjendit të ëmës dhe ajo i tha: «Këto monedha argjendi ia kam kushtuar Zotit, për hir të djalit tim. Merri, pra, dhe bëj me to një shëmbëlltyrë të gdhendur dhe një idhull prej metali». 4 Por Mikahu ia ktheu monedhat së ëmës. Atëherë e ëma mori dyqind monedha argjendi e ia dha argjendarit të bënte një shëmbëlltyrë të gdhendur dhe një idhull prej metali. Idhullin e vendosën në shtëpinë e Mikahut. 5 Mikahu kishte një faltore perëndish. Kishte bërë një efod, bashkë me disa idhuj të tjerë shtëpie, dhe kishte caktuar një nga djemtë e tij, që t’i shërbente si prift. 6 Në atë kohë nuk kishte mbret në Izrael dhe gjithkush bënte çfarë i dukej e drejtë.
7 Asokohe, banonte aty një levit i ri në moshë. Ai vinte nga Betlehemi e i përkiste fisit të Judës. 8 Ishte larguar nga Betlehemi i Judës për të gjetur një vendbanim. Udhës, ai mbërriti në shtëpinë e Mikahut, në malësinë e Efraimit. 9 Mikahu e pyeti: «Nga vjen?». Ai iu përgjigj: «Jam një levit nga Betlehemi i Judës dhe po kërkoj një vend për të banuar». 10 Mikahu i tha: «Qëndro me mua. Bëhu ati dhe prifti im dhe unë do të të jap çdo vit dhjetë monedha argjendi, veshmbathje dhe ushqim». Leviti hyri 11 dhe vendosi të qëndrojë me të. Mikahu e mbajti levitin si birin e vet. 12 Mikahu e shuguroi levitin prift. Ai u bë prifti i Mikahut dhe banoi në shtëpinë e tij. 13 Atëherë Mikahu tha: «Tani e di se Zoti do të më bëjë mirësi, sepse kam levitin që më shërben si prift».