Jeftahu dhe fisi i Efraimit
1 Burrat e fisit të Efraimit u mblodhën bashkë, kaluan Jordanin dhe mbërritën në Cafon. Ata i thanë Jeftahut: «Përse kalove Jordanin për të sulmuar amonitët e nuk na thirre edhe ne? Do t’i vëmë flakën shtëpisë sate bashkë me ty brenda». 2 Jeftahu u tha: «Unë e populli im ishim në luftë të ashpër me amonitët dhe, kur ju thirra në ndihmë, ju nuk erdhët të më shpëtonit prej tyre. 3 Kur pashë se ju nuk po vinit për të më shpëtuar, vura jetën time në rrezik, kalova Jordanin për të sulmuar amonitët dhe Zoti m’i dorëzoi. Përse, pra, vini tani për të më sulmuar?». 4 Jeftahu mblodhi të gjithë burrat e Gileadit e u ndesh me Efraimin. Burrat e Gileadit i sulmuan burrat e Efraimit, sepse u kishin thënë: «Ju burrat e Gileadit jeni ikanakë e banoni mes Efraimit e Manaseut». 5 Burrat e Gileadit zunë vaun e Jordanit, nëpër të cilin do të kalonin burrat e Efraimit. Kur vinte ndonjë i arratisur nga Efraimi e u thoshte: «Më lini të kaloj!», burrat e Gileadit i thoshin: «Mos je gjë nga Efraimi?». Ai u përgjigjej: «Jo». 6 E ata i thoshin: «Thuaj Shiboleth». Por ai përgjigjej: «Siboleth», sepse nuk mund ta shqiptonte saktë. Atëherë ata e merrnin dhe e vrisnin. Asokohe vranë atje në vaun e Jordanit dyzet e dy mijë burra të Efraimit.
7 Jeftahu nga Gileadi qe gjyqtar i Izraelit për gjashtë vjet. Pastaj vdiq e u varros në një nga qytetet e Gileadit.
Ibcani, Eloni dhe Abdoni
8 Pas Jeftahut gjyqtar i Izraelit qe Ibcani nga Betlehemi. 9 Ai kishte tridhjetë djem e tridhjetë vajza. Vajzat i kishte martuar jashtë fisit dhe djemve u kishte dhënë për nuse vajza po nga jashtë fisit. Ai qe gjyqtar i Izraelit për shtatë vjet. 10 Pastaj Ibcani vdiq dhe e varrosën në Izrael.
11 Pas tij gjyqtar i Izraelit qe Eloni nga Zabuloni. Ai qe gjyqtar i Izraelit për dhjetë vjet. 12 Pastaj Eloni vdiq e u varros në Ajalon, në trojet e Zabulonit.
13 Pas Elonit, gjyqtar i Izraelit qe Abdoni, biri i Hilel Piratonitit. 14 Abdoni kishte dyzet djem e tridhjetë nipër, që kalëronin shtatëdhjetë gomarë. Abdoni qe gjyqtar i Izraelit për tetë vjet. 15 Pastaj Abdoni, biri i Hilel Piratonitit, vdiq e u varros në Piraton, në trojet e Efraimit, në malin e Amalekut.